
Organet greke të Shërbimit të Inteligjencës po vazhdojnë me intensitet hetimet ndaj një 26 vjeçari me pasaportë polake dhe origjinë nga Azerbajxhani i cili është arrestuar dy ditë më parë nën dyshimin për spiunazh, në një hotel të qytezës së Sudës në Kretë.
Sipas informacionit të dhënë nga autoritetet, 26-vjeçari mbërriti në Greqi më 18 qershor me një leje qëndrimi polake dhe rezervoi një dhomë hoteli për një muaj duke paguar me para në dorë dhe duke kërkuar posaçërisht pamje nga Gjiri i Soudë-s ku ndodhet baza ushtarake e Natos. Gjatë qëndrimit atje , ai doli nga dhoma vetëm dy herë për të blerë gjëra të domosdoshme nga një mini-market.
Kjo ka ngjallur dyshime tek Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i cili ndodhet në gadishmëri për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme, si dhe pas arrestimit të një tjetër azerbajxhanasi në Qipro. Disa orë pasi është mbikqyrur, agjentë grekë kanë hyrë në dhomën e tij për të kontrolluar dhe i kanë gjetur më shumë se 5,000 fotografi të bazës ushtarake.
Në momentin e kontrollit policor, 26-vjeçari nuk bëri rezistencë dhe menjëherë kërkoi avokat duke folur vetëm në rusisht dhe turqisht dhe duke thënë se është turist.Në dhomë u gjetën dhe u sekuestruan një laptop, një telefon celular, një kartë banke polake, një aparat fotografik dhe një USB, me fotografi , kryesisht të anijeve luftarake që hynin dhe dilnin nga Gjiri i Soudë-s.
Sipas të njëjtit informacion, 26-vjeçari nga Azerbajxhani kishte të instaluar në laptop një program të veçantë për enkriptim, ndërsa fotot i dërgonte një marrësi të panjohur.Thuhet se ai ka profilin e një agjenti të trajnuar mirë, me përvojë në rastet e spiunazhit. Dyshohet se kjo është një praktikë e zakonshme e iranianëve – po shqyrtohet nëse ata fshihen pas kësaj historie- të cilët, për shkak të numrit të madh të azerbajxhanasve në vendin e tyre, i konvertojnë dhe i rekrutojnë ata, në mënyrë që agjentët e tyre të mos zbulohen
Baza ushtarake e NATO-s në Souda është një nga instalacionet më të rëndësishme të NATO-s dhe SHBA-ve në Mesdheun Lindor. Ajo përbën bazën kyçe për operacionet detare dhe ajrore në Mesdhe dhe Lindjen e Afërt pasi është pika më e madhe e furnizimit me karburant dhe ujë për anijet luftarake në rajon.Përdoret si port dhe bazë ankorimi për anijet e NATO-s, Flotën e 6 amerikane dhe forcat detare greke.Ka pistë për avionë luftarakë dhe avionë të transportit dhe shërben si pikë furnizimi, riparimi dhe logjistike për flotën e NATO-s.
Top Channel