
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve në qytetin e Kukësit, në lagjen Myq-Mamëz, në orët e para të mesnatës.
Pavarësisht përpjekjeve të zjarrfikësve, të cilët kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës me hedhje uji, vatra ende nuk është shuar.
Shtëllungat e tymit janë përhapur në drejtim të qytetit dhe zonave përreth, duke shkaktuar shqetësim për banorët për shkak të ndotjes së ajrit.
Kjo është hera e tretë radhazi që fusha e mbetjeve digjet brenda tre viteve të fundit, çka ka ngritur shqetësime serioze mbi menaxhimin e situatës.
Zjarri ka përfshirë një perimetër të gjerë brenda pak minutash, duke ngritur dyshime të forta për zjarrvënie të qëllimshme.
Autoritetet lokale nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare, ndërsa pritet që të nisë një hetim për të zbardhur shkaqet e rënies së flakëve.
Nga vendgrumbullimi i mbetjeve urbane në Myq-Mamëz, ku vatra e zjarrit mbetet ende aktive, prefekti i Kukësit, Dritan Baji, ka dhënë një deklaratë mbi situatën dhe masat e marra nga autoritetet vendore.
“Zjarri është aktualisht nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për përhapje në zonat pyjore përreth”, deklaroi prefekti Baji.
Ai theksoi se metoda më efikase për shuarjen e vatrës është mbulimi i saj me inerte, një proces që po realizohet në bashkëpunim me Bashkinë e Kukësit.
Sipas tij, Bashkia ka hartuar një plan të posaçëm masash dhe ka angazhuar mjete të rënda për transportin e dherave në vendin e ngjarjes.
“Qëllimi kryesor është vendosja sa më shpejt nën kontroll dhe shuarja e plotë e zjarrit”, shtoi Baji.
Prefekti nënvizoi gjithashtu se është ende herët për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit, por prioritet mbetet menaxhimi i situatës dhe garantimi i sigurisë për qytetarët.
Top Channel