
Autorët e vrasjes së 20-vjeçarit Grei Bihuci në 11 mars të vitit 2024 në qendër të qytetit të Fierit, u shpallën fajtorë në seancën e sotme gjyqësore.
Mesditën e sotme janë paraqitur të gjitha palët pasi është dhënë edhe vendimi. Sipas burimeve zyrtare nga gjykata e shkallës së parë të juridiksionit Fier seanca gjyqësore është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.
Trupi gjykues përbëhej nga kryetar Genci Busho dhe anëtarë Vladimir Cjapi dhe Elira Hroni. Prokuror i çështjes ka qenë Petrit Vukaj, ndërsa dy autorët e akuzuar për vrasje mbroheshin nga avokati Ervis Goxhaj.
Pasi u lexuan faktet në dosje dhe dëshmitë e dhëna në prokurori, Petrit Vukaj ka kërkuar shpalljen fajtor të të akuzuarve ku për Florian Mukën ka kërkuar 25 vjet burg dhe për të miturin KM (kushëriri i Florianit) 12 vjet burg.
Mbrojtja nga ana e saj e përfaqësuar nga avokat Ervis Goxhaj ka pohuar para trupit gjykues se Floriani e ka pranuar vrasjen por ka thënë se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Ndërsa i mituri K.M. 16 vjeç, vëllai i autorit të ngjarjes, ka pohuar se ai ka qenë prezent kur ka ndodhur sherri dhe është kryer vrasja, por vetë nuk ka kryer asnjë veprim. Dy të akuzuarit kanë kërkuar falje dhe kanë shprehur pendesë për veprimet e kryera.
Akuza ishte vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim sipas nenit 78/1, për Florian Mukën u kërkua 25 vjet burg, por meqenëse e ka pranuar vrasjen, ka kërkuar falje u dënua me 12 vjet burg në bazë të nenit 76, dhe për të miturin 12 vjet, por për moskallëzim krimi u dënua me 1 vit burg gjë që e ka kryer në paraburgim dhe është lënë i lirë.
Si ndodhi ngjarja?
19-vjeçari u qëllua me thikë nga Florjan Muka 19 vjeç dhe K. Muka, 17 vjeç në qendër të Fierit, të cilët janë kushërinj të parë.
Dyshohet se sherri mes tyre nisi në rrjete sociale dhe më pas degradoi në përleshje fizike.
Shoku i viktimës Olti Serjanaj 20 vjeç, i cili ndërhyri për ta shpëtuar, mbeti i plagosur. Viktima studionte në degën TIK dhe pasditeve punonte kamarier në një lokal pranë vendit të ngjarjes.
Top Channel