
Deklarata e Donald Trump, më 19 qershor duket se ishte vetëm një shpërqendrim për qeverinë iraniane dhe sistemin e tyre të mbrojtjes, pasi vendimi ishte marrë.
Presidenti i SHBA-ve kishte pranuar thirrjet e kryeministrit Benjamin Netanyahu, për të ndërhyrë dhe ushtarakisht në ndihmë të Izraelit.
Ushtria Amerikane sulmoi nëpërmjet ajrit Iranin pas kaluar 24 orë nga deklarata e Trump. Avionët B-2, një prej krenarive të flotës amerikane, sulmuan 3 pika strategjike të Iranit ku mendohet se ushtrohej aktiviteti i zhvillimit të armëve bërthamore.
Fordow, Natanz dhe Esfahan shpërthyen pas hedhjes së bombave nga 7 avionët B-2 që u nisën të premten nga Missouri dhe udhëtuan drejt Iranit. Operacioni i quajtur si “Çekiçi i mesnatës” përfundoi me sukses sipas palës amerikane.
Presidenti Trump pranoi sulmin drejt Iranit dhe vlerësoi operacionin e realizuar nga ushtria amerikane.
Përfshirja direkte e Amerikës në ofensivën e sulmit ndryshon tërësisht situatën dhe ngre pikëpyetje të forta për të ardhmen.
Pasiguria është e madhe, me Iranin që pritet të hakmerret ndaj bazave amerikane në Lindjen e Mesme dhe frontit të hapur me Izraelin, por dhe me pozicionimin e Rusisë dhe Kinës që po shohin gjithçka nga distanca. A rrezikon bota një luftë të tretë?
Por çfarë pritet të ndodhë tani?
“Ishte një sulm gati i lajmëruar, që sinjalizon që Irani do të shpëtojë fytyrën edhe përballë popullsisë së saj, që është shënjestruar nga Izraeli dhe SHBA.
Topi është në fushën e Presidentit Trump dhe sytë janë aty për të pritur se cila do të jetë përgjigjja, sepse e ka paralajmëruar Iranin që të mos godasë sepse do të përballet me përgjigje të paimagjinueshme”, u shpreh gazetarja Rosalba Bejdo në Top Story.
Top Channel