
Oleksandr Zinchenko është në krye të listës së Milanit si zëvendësues potencial për anësorin francez Theo Hernandez, i cili së fundmi është shprehur i hapur ndaj një transferimi në Arabinë Saudite.
Drejtuesit e klubit kuqezi kanë nisur lëvizjet konkrete për të gjetur trashëgimtarin e tij.
Ukrainasi 27-vjeçar, i cili luan aktualisht te Arsenal, ka pasur një sezon jo të shkëlqyer, ku u përball me probleme dëmtimesh dhe nuk arriti të bëhej titullar i rregullt, duke regjistruar 23 paraqitje dhe 1 gol. Kontrata e tij skadon në vitin 2026.
Igli Tare ka nisur kontaktet me Arsenalin për të negociuar, sidomos për pagën prej rreth 6 milionë euro neto në sezon, një shifër e lartë për klubin italian. Vlera e kartonit të lojtarit është rreth 20 milionë euro, por është e mundur që Milani të arrijë një marrëveshje me Arsenalin për një çmim më të ulët.
Një alternativë tjetër e mundshme është Maxim De Cuyper nga Bruges, i lindur në vitin 2000 dhe me një vlerë tregu prej rreth 16 milionë eurosh. Megjithatë, ai nuk ka përvojën ndërkombëtare të Zinchenkos.
Gjithçka do të varet nga e ardhmja e Theo Hernandez, i cili pavarësisht interesimit nga Arabia Saudite, ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.
Top Channel