
Rinumërimi i votave në Tiranë ka zbuluar edhe trafikimin e fletëve të votimit brenda listës preferenciale të kandidatëve.
Në listën e Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, pretendonte se shumë vota të tij kishin kaluar te kandidatët e tjerë.
Por ajo që doli nga 449 kutitë e para ishte fakti që Alimehmeti në procesverbal rezulton të ketë 64 vota më shumë se çfarë kishte realisht në kuti. Ai rezulton me numrin më të madh të votave të padrejta nga lista e opozitës.
Në radhët e demokratëve, kandidatët me më shumë vota në procesverbal se në kuti janë Petrit Gjorgji me 42 vota, Myslym Murrizi me 33 vota, Edit Harxhi me 20 vota dhe Ilir Metaj me 28 vota.
Ndërkohë që rivalja e Alimehmetit për të hyrë në listën fituese, Jorida Tabaku ka 30 vota më shumë në procesverbal, sesa në kuti.
Kandidatët demokratë më të “persekutuar” në numërimin e parë kanë qenë Asllan Dogjani me -8 vota, Salvador Kaçaj me -17 vota dhe Akil Kraja -7.
Sa i përket Partisë Socialiste, ministri Ervin Hoxha 197 vota më shumë, Xhemal Qefalia ka 126 vota më shumë, kandidatja për deputete Kejsi Elezi dhe Fatmir Xhafaj rezultojnë me 89 vota më shumë në procesverbalë se sa kishin në kutinë e votimit dhe Erion Braçe me 32 vota plus.
Në listën e hapur të PS-së, në garë deri në fund ishin Blerina Gjylameti dhe Olta Xhaçka. Por rinumërimi deri tani, duket se nuk e ndryshon faktin që Xhaçka vijon të mbajë mandatin e deputetes. Gjylametit i kanë hequr -5 vota, ndërsa Xhaçkës i janë shtuar 39.
Kandidatët e PS-së më të “persekutuar” nga numëruesit deri tani rezulton Mimi Kodheli -33.
Top Channel