
Zonat e mbrojtura të Vlorës, e veçanërisht Laguna e Nartës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një atraksion turistik dhe natyror me rëndësi të veçantë.
Kjo zonë ofron një peizazh të rrallë dhe një biodiversitet të pasur, që tërheq jo vetëm turistë vendas dhe të huaj, por edhe studiues e dashamirës të natyrës së egër.
Një nga atraksionet më të veçanta janë flamengot, të cilat prej kohësh janë bërë banorë të përhershëm të lagunës. Së fundmi, këta shpend të bukur kanë nisur të folezojnë në këtë habitat, duke e kthyer Lagunën e Nartës në një vend të rëndësishëm për shumimin dhe jetesën e tyre.
Në të shkuarën thonë specialistët flamengot nuk kanë mundur të çojnë deri në fund procesin e folezimit për shkak të gjitarëve të cilët i prishnin këto fole, duke shpresuar gjithashtu që ky proces të përmbyllet këtë vit.
Përveç flamengove, në lagunë gjenden edhe shumë lloje të tjera shpendësh, që e pasurojnë më tej jetën e egër dhe ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës. Ky zhvillim po nxit gjithashtu edhe interesimin e turistëve dhe dashamirësve të ornitologjisë, duke e kthyer lagunën në një destinacion gjithnjë e më të preferuar.
Top Channel