
Ka kaluar pothuajse një muaj nga humbja historike 5-0 e Interit nga PSG në finalen e Ligës së Kampionëve në Mynih, por plagët ende nuk duken të shëruara.
Mesfushori i zikaltërve, Nicolo Barella, foli për këtë humbje në një intervistë për Dazn, duke pranuar se nuk ka një shpjegim të qartë për atë disfatë.
“Le të themi se nuk kam një përgjigje dhe ndoshta nuk ka një shpjegim të vetëm, por një kombinim faktorësh”, tha Barella.
Ai shtoi se në dhomën e zhveshjes u përpoqën të diskutonin dhe kuptonin ndjenjat e secilit, por emocioni ishte i ndryshëm për secilin lojtar.
Mesfushori theksoi gjithashtu se futbolli ka ditë të këqija, por ajo që ndodhi në finale ishte zhgënjimi më i madh për të gjithë.
Megjithatë, Barella kërkon të fokusohet tek rrugëtimi i ekipit: “Humbëm nga ekipi më i fortë në botë, PSG, por mposhtëm dy skuadra shumë të forta si Bayern dhe Barcelona gjatë këtij rrugëtimi.”
Ai përfundoi duke theksuar angazhimin e tij për të dhënë më të mirën për të ndihmuar ekipin, klubin dhe trajnerin: “Do të përpiqem të jap më të mirën time tani për të ndihmuar shokët e ekipit dhe stafin, të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme.”
Top Channel