
Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes do të jetë kryefjala e samitit të NATO-s në Hagë, ku liderët e vendeve anëtare të aleancës mblidhen në datat 24-25 qershor me në fokus kërkesen e presidentit Donald Trump për shtimin e kontributeve.
Anëtarët janë pajtuar e idenë e shtimit të shpenzimeve në masën 5% të GDP-së. Spanja tentoi fillimisht ta bllokonte masën që kërkon miratim unanim, por hoqi dorë pasi vendet tjera i siguruan një përjashtim nga vendimi.
Vëmendja në këtë samit padyshim do të jetë e gjitha te Trump, që besohet gjerësisht se do të jetë i pranishëm. Burime të brendshme thonë se ky samit është konceptuar ta bëjë presidentin amerikan të ndihet mirë dhe të shmangë ndonjë mungesë harmonie në klub.
Kjo pasi ende ekzistojnë shqetësimet për përsëritje të samitit të famshëm të NATO-s, të mbajtur në Bruksel më 2018, kur Trumpi, asokohe gjatë mandatit të tij të parë, pati kërcënuar me tërheqje të SHBA-së prej aleancës veriatlantike, nëse shtetet euvropiane dhe Kanadaja nuk i rrisin shpenzimet për mbrojtje në mënyrë të konsiderueshme.
Këmbëngulja e atëhershme e tij pati efekt: Që prej asokohe, shumica e aleatëve i kanë rritur shpenzimet për mbrojtje dhe e kanë arritur nivelin e 2% të parashikuar prej kohësh, dhe tani po shkojnë përtej tij. Ceremonia e 24 qershorit do të përcillet me një takim pune të Këshillit të Atlantikut të Veriut, që nuk pritet të zgjasë as tre orë, ku liderët thuhet se do të pajtohen me të ashtuquajturën Deklaratë e Hagës, ku objektivi i 5 për qind, siç është propozuar nga Rutte, përfshin 3.5 për qind shpenzime për pajisje të rënda ushtarake, sikurse janë raketat, helikopterët dhe aeroplanët luftarakë, ndërsa pjesa tjetër prej 1.5 për qind do të shkojë në “qëndrueshmëri”, term që është lënë me qëllim i mjegullt për shumicën e vendeve, pasi në këtë pikë mund të përfshihet gjithçka, duke llogaritur shpenzimet në infrastrukturë me qëllim përmirësimin e lëvizshmërisë ushtarake.
Top Channel