
Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Joan Pelushi, dënon sulmin kamikaz që ndodhi një ditë më parë në një kishë në Damask, e cila ishte e mbushur me besimtarë gjatë momentit kur ndodhi shpërthimi.
Hirësia e Tij shpreh ngushëllime për viktimat dhe lutet për shërimin e shpejtë të të plagosurve. Duke folur për bashkëjetesën fetare në vendin tonë, Kryepeshkopi thekson se “bashkëjetesa paqësore e popujve dhe feve është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë”.
“Me dhimbje të thellë u informuam për sulmin terrorist në Kishën e Profetit të Shenjtë Ilia në Damask, që ndodhi ditën e djeshme gjatë Liturgjisë Hyjnore, ku dhjetëra besimtarë të pafajshëm humbën jetën ose u plagosën.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë e dënon këtë akt dhune, aq më tepër që ndodhi në orarin e shenjtë të lutjes, gjatë Misterit të Falënderimit Hyjnor. Sipas fjalëve të urta të Kryepiskopit tonë të ndjerë Anastas: ‘Askush nuk ka të drejtë të përdorë vajin e fesë për të forcuar zjarrin e konflikteve. Feja është dhuratë hyjnore, e dhënë për të qetësuar zemrat, për të shëruar plagët dhe për të sjellë më afër individët dhe popujt’.
Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave dhe mbështetjen tonë për Fortlumturinë e Tij, Patriarkun e Antiokisë, Joan dhe për të gjithë Komunitetin Orthodhoks të Sirisë. Lutemi për prehjen e shpirtrave të viktimave të pafajshme dhe për shërimin e shpejtë të të plagosurve.
Nga Shqipëria, një vend që ka dëshmuar se bashkëjetesa paqësore mes feve nuk është ëndërr e paarritshme apo utopi, por realitet i gjallë, i bëjmë thirrje të gjithëve të qëndrojmë të bashkuar kundër dhunës. Bashkëjetesa paqësore e popujve dhe feve është rruga e vetme për një të ardhme më të mirë“, thuhet në reagimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Të paktën 22 persona u vranë dhe 63 u plagosën në sulmin vetëvrasës me bombë në Kishën Ortodokse Mar Elias në Damask të dielën në mbrëmje, sipas autoriteteve siriane. Dy persona sulmuan lagjen me shumicë krishtere Dweilaa gjatë Meshës, hapën zjarr ndaj besimtarëve dhe shpërthyen eksploziv pranë hyrjes.
Top Channel