Fëmijët që humbën nga pakujdesia, raste të shumta në plazhe me pushuesit, të gjitha kanë përfunduar me gjetjen e të miturve

23/06/2025 15:22

Sezoni veror tashmë ka nisur dhe po i afrohet pikut të tij.

Vija bregdetare nga jugu në veri është mbushur me pushues vendas dhe të huaj dhe bashkë me popullimin e plazheve vijnë edhe dukuritë negative, si mbytjet, atakët kardiake apo aksidentet me mjetet ujore siç janë shënuar edhe këtë vit. Përveç këtyre një nga situatat më shqetësuese që përsëritet çdo vit është humbja e përkohshme e fëmijëve në zonat bregdetare.

Vetëm verën e kaluar në polici janë raportuar 17 raste të humbjeve të përkohshme të fëmijëve të cilët janë gjendur brenda pak orëve shëndoshë e mirë dhe janë bashkuar me familjet.  Por kjo shifër është vetëm maja e ajsbergut pasi rastet reale llogariten rreth 3 herë më shumë por prindërit për gjetjen e fëmijës angazhojnë pushues të tjerë apo bëjnë publikime në rrjete sociale.

Pastime të tilla i gjen rëndom në portale edhe këtë verë në incidente  në plazhe të ndryshme si Shëngjin, Durrës, Golem, Tale, Vlorë, Ksamil dhe Borsh.

Në një plazh të mbushur me qindra pushues, një çast pakujdesie është i mjaftueshëm që një fëmijë të largohet pa u vënë re. Kurioziteti, loja me rërë, ndjekja e një topi, ose thjesht ndjekja e fëmijëve të tjerë mund ta çojë larg në pak minuta. Shpesh, të vegjlit nuk e kanë as idenë se janë humbur, ndërsa paniku që përfshin prindërit është shumë i madh. Për të shmangur këto episode këshillohet që fëmijët mos lihen pa mbikëqyrje dhe të edukohen që në rast se humbasin kontaktin me prindërit të dinë të kërkojnë ndihmë.

Top Channel