“Bombë me sahat”/ Ishte nën kujdesin e autoriteteve të SHBA-së për emigrantët, vdes gjatë transportimit nga burgu në një qendër të posaçme 68-vjeçari

23/06/2025 09:07

Një burrë 68-vjeçar me origjinë meksikane, Abelardo Avellaneda Delgado, vdiq gjatë transportit nga një burg lokal në një qendër federale paraburgimi, duke u bërë i ndaluari i parë në të paktën një dekadë që humb jetën në rrethana të tilla nën kujdesin e ICE (Zbatimi i Ligjit për Imigracionin dhe Doganat).

Vdekja e tij ka tronditur familjen dhe ka ndezur debate të reja për kushtet e transportit të emigrantëve dhe mungesën e mbikëqyrjes në sistemin gjithnjë e më të privatizuar të ndalimit dhe deportimit të imigrantëve në SHBA.

Avellaneda Delgado u arrestua më 9 prill në Georgia për një shkelje të lirimit me kusht dhe vdiq më 5 maj, gjatë një transferimi me furgon nga burgu i qarkut Lowndes drejt qendrës së paraburgimit Stewart.

Ndërkohë që shkaku zyrtar i vdekjes është ende “nën hetim”, mjeku ligjor vendor dyshon se bëhet fjalë për një aneurizëm aortal – një gjendje që sipas ekspertëve kërkonte ndërhyrje të menjëhershme mjekësore, jo transport.

Familja e tij, përfshirë djalin 32-vjeçar, Junior, dhe vajzën Nayely, janë shprehur se nuk kishin informacion për gjendjen e tij shëndetësore. Junior tregon se babai i tij ishte i pavetëdijshëm dhe në një karrocë me rrota gjatë vizitës së fundit – një gjendje që nuk e kishte parë kurrë më parë.

Ekspertët e imigracionit e përshkruajnë sistemin aktual si një “bombë me sahat”, për shkak të ngarkesës së tepruar, mungesës së burimeve dhe privatizimit të plotë të shërbimeve thelbësore si transporti dhe kujdesi shëndetësor. Organizata El Refugio, që punon me të ndaluarit në Georgia, shprehu shqetësim për mungesën e mbikëqyrjes nga ana federale.

Top Channel