
Festimet për titullin kampion të MC Alger u kthyen në tragjedi të shtunën mbrëma në “Stade du 5 Juillet”, ku tre tifozë humbën jetën dhe mbi 70 të tjerë u plagosën në një incident të rëndë gjatë festimeve të klubit algjerian.
Skuadra e MC Alger siguroi titullin e kampionit për të dytin vit radhazi pas një barazimi 0-0 ndaj NC Magra. Mes entuziazmit dhe gëzimit, mijëra tifozë kishin mbushur stadiumin me kapacitet 64,200 vende, duke festuar me fishekzjarre dhe flakadanë të gjelbër në shkallët e stadiumit.
Por atmosfera festive u ndërpre tragjikisht kur dhjetëra tifozë ranë nga pjesa e sipërme e tribunave. Sipas raportimeve të mediave lokale, një segment i barrierës mbrojtëse në katin e sipërm u shemb, duke mos mundësuar mbrojtjen e tifozëve nga rrëzimi në shkallët më poshtë.
Ministria algjeriane e Shëndetësisë konfirmoi se tre persona humbën jetën, ndërsa më shumë se 70 të plagosur u transportuan në spitale të ndryshme në Algjer. Spitali Universitar i Beni Messous priti 38 të plagosur, Ben Aknoun 27 dhe Bab El Oued 16.
Klubi MC Alger reagoi menjëherë pas konfirmimit të viktimës së parë, duke njoftuar me dhimbje vdekjen e tifozit Younes Amguzzi. “Me trishtim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të tifozit tonë Younes Amguzzi, i cili ra nga pjesa e sipërme e tribunës,” shkruhej në deklaratën zyrtare të klubit.
Lojtarë dhe anëtarë të stafit të MC Alger u drejtuan drejt spitaleve për të dhuruar gjak për të plagosurit, ndërsa ceremonia e dorëzimit të trofeut u anulua për shkak të situatës tragjike.
Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat dhe familjet e tyre, duke e quajtur këtë një “tragjedi të dhimbshme” për vendin.
Top Channel