Të huajt “njihen” me diktaturën/ Rriten vizitat e turistëve në “Vendin e dëshmisë dhe Kujtesës”

22/06/2025 16:08

Shkodra nuk është vetëm qyteti i liqenit, bregdetit dhe maleve.

Gjithnjë e më shumë, vizitorët e huaj që e vizitojnë këtë qytet ndalen edhe për të njohur nga afër një pjesë të errët të historisë shqiptare periudhën e diktaturës komuniste. Prandaj ata ndalen tek “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës”.

“Është muze shumë impresionues. Kam gjetur gjëra shumë interesante, që nga gazetat e asaj kohe, dokumentet e videot për të na treguar çfarë ndodhi në Shqipëri gjatë asaj periudhe. Unë isha i ri kur Shqipëria dhe vendet e tjera ishin në diktaturë, gjithashtu kam jetuar në Gjermaninë Lindore. Ka disa të përbashkëta, por jo diktatura këtu ishte shumë më e vështirë. Gjermanët ishin më të lirë, Hungarezët po ashtu, e të tjerët, por ju këtu ishit të izoluar prandaj për ne ka shumë interes vendi juaj”, shprehet një vizitor i huaj.

Kisha dëgjuar për regjimin komunist në Shqipëri, por kisha shumë pak informacion. Lexova për historinë tuaj dhe vendosa që ta vizitoj. Unë vij nga Holanda dhe kur ju ishit ne komunizëm, unë isha ende fëmijë. Është shume interesante se si ka mundësi që një regjim i tillë, të jetë i ngulitur në mes të Evropës”, shprehet një tjetër turist.

Vit  pas viti, numri i vizitorëve është në rritje. Kryesisht janë të huaj, por edhe emigrantë që duan t’i tregojnë të kaluarën e vendit te tyre, fëmijëve.

Muzeu “Vendi i dëshmisë dhe kujtesës” është hapur në vitin 2012 i ngritur në ish burgun e ish- degës së brendshme të Shkodrës ku janë mbajtur të burgosur dhe janë torturuar gjatë hetuesisë të burgosurit.

 

Top Channel