
Një shpërthim i fuqishëm tronditi Damaskun, kryeqytetin e Sirisë, pasi një sulmues vetëvrasës hodhi veten në erë brenda një kishe të mbushur me besimtarë.
Ngjarja ndodhi në kishën Mar Elias, e vendosur në lagjen Dwelah, një zonë me shumicë të krishterë.
Sipas burimeve ndërkombëtare, të paktën 25 persona kanë humbur jetën, ndërsa numri i të plagosurve mbetet ende i paqartë. Pamjet dhe raportimet nga vendngjarja flasin për dëme të mëdha materiale dhe skena tronditëse.
Sulmi ndodhi në një kohë kur kisha ishte e frekuentuar nga besimtarë lokalë, duke e bërë shpërthimin edhe më tragjik. Autoritetet siriane dhe ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa hetimet janë në vazhdim për të identifikuar përgjegjësit.
Lagjja Dwelah, e njohur për bashkëjetesën ndërfetare dhe për komunitetin e saj të krishterë, është rrallëherë objektiv i sulmeve, çka e bën këtë ngjarje edhe më shqetësuese për stabilitetin e zonës.
Deri më tani, asnjë grup nuk ka marrë përsipër autorësinë e sulmit. Komuniteti ndërkombëtar dhe organizatat humanitare janë shprehur të shqetësuar për situatën dhe kanë dënuar ashpër aktin e dhunës ndaj civilëve dhe vendeve të kultit.
Top Channel