SHBA sulmon Iranin. Trump: Janë shkatërruar objektivat bërthamorë! Parlamenti iranian kërkon mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Vance: Do të ishte vetëvrasje

22/06/2025 18:25

Rreth orës 2 të mëngjesit (sipas orës shqiptare), presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi përmes një postimi në rrjetin Truth se SHBA-të kanë shkatërruar tre objekte bërthamore në Iran. Teherani reagoi duke lëshuar raketa drejt qyteteve izraelite.

Teherani reagoi duke lëshuar raketa drejt qyteteve izraelite.

Pak para orës 2 të mëngjesit, më 22 qershor, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sulmin ndaj tre objekteve bërthamore iraniane. Kjo shënon hyrjen e SHBA-ve në luftën e nisur nga Izraeli kundër Iranit për të ndalur programin bërthamor iranian.

Irani kishte paralajmëruar se, nëse SHBA-të do të sulmonin, çdo objektiv amerikan në rajon do të konsiderohej si «legjitim».

Rubio thirrje ndaj Kinës për të mos lejuar mbylljen e Hormuzit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Kinës të bindë Iranin të mos mbyllë Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve të Uashingtonit ndaj objekteve bërthamore iraniane.

Komentet e Rubio-s në programin “Sunday Morning Futures with Maria Bartiromo” në Fox News erdhën pasi televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Parlamenti iranian ka miratuar një masë për të mbyllur ngushticën përmes së cilës kalon rreth 20% e naftës dhe gazit botëror.

Rubio tha: “E inkurajoj qeverinë kineze në Pekin t’i kontaktojë lidhur me këtë çështje, sepse ata varen shumë nga Hormuzi për furnizimin me naftë. Nëse e mbyllin, do të ishte një gabim i rëndë. Një vetëvrasje ekonomike për ta. Ne kemi ende opsione për të trajtuar situatën, por edhe vende të tjera duhet ta shqyrtojnë. Do të dëmtonte ekonomitë e tyre më shumë se tonën.

Ai tha gjithashtu se një veprim i tillë do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh që do të kërkonte përgjigje nga SHBA dhe aleatët e tyre. Rubio paralajmëroi Iranin se hakmarrja do të ishte “gabimi më i madh që kanë bërë ndonjëherë”. Ai përsëriti se SHBA është e gatshme për dialog me Iranin.

Rubio: Nuk janë planifikuar sulme të tjera mbi Iranin

“Në këtë moment nuk janë planifikuar operacione të tjera ushtarake kundër Iranit,” tha Rubio për CBS. Ai shtoi: “Askush nuk do ta dijë për disa ditë nëse Irani ka arritur të zhvendosë ndonjë material bërthamor para sulmeve të SHBA-ve mbi objektet iraniane.”

Rubio: Gati për dialog që nesër, por mjaft me lojërat

Pas sulmeve amerikane mbi objektet bërthamore iraniane, Rubio ftoi Iranin për dialog të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Ai tha për Fox News:

“Jemi gati të bisedojmë me ta edhe nesër.”

Rubio theksoi se SHBA është e gatshme të lejojë një program civil bërthamor për Iranin, por pa pasur pasurim uraniumi:

“Regjimi iranian duhet të kuptojë: nëse vërtet doni energji bërthamore, ka mënyrë për ta bërë. Oferta ende vlen.”

Ai shtoi se Irani ka refuzuar çdo përpjekje për dialog, përfshirë përpjekjet e të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff:

“Steve Witkoff ka udhëtuar në gjithë botën për të gjetur marrëveshje me ta, por ata vazhdojnë me lojërat. Tashmë është bërë e qartë.”

Rubio shtoi se Irani “nuk u përgjigj” dhe “u zhduk për dhjetë ditë” para sulmit.

“Presidenti duhej të vepronte në përgjigje të kësaj,” tha ai.

Veprimi i Trump huton Amerikën

Sulmi i Trump ndaj Iranit huton Amerikën e tij, trondit botën dhe edhe vetë kampin MAGA. Edhe pse i paraprirë nga një përshkallëzim verbal, mbetet një akt shpërthyes. Ky ishte një president i perceptuar nga mbështetësit si izolacionist – në kuptimin pozitiv: një lider që do të shmangte futjen e SHBA-ve në konflikte të huaja, duke rrezikuar jetët e ushtarëve dhe shpenzuar burime për rolin e “policit të botës”.

Në vend të kësaj, ai ndërmori atë që asnjë nga paraardhësit nuk kishte bërë: një bombardim të drejtpërdrejtë dhe në shkallë të gjerë mbi objektiva iraniane. Tani Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni po përpiqen të minimizojnë përmasën e operacionit: nuk është hyrje në luftë, por një goditje e saktë dhe e kufizuar ndaj objekteve bërthamore.

Por nuk është e sigurt që pala kundërshtare do ta shohë njësoj dhe do të veprojë në përputhje. Vlerësimet e para të komandës ushtarake amerikane flasin për dëmtime të objekteve bërthamore, por jo domosdoshmërisht për shkatërrim të plotë të tyre.

Pse nuk ka rrezatim të konsiderueshëm pas bombardimeve amerikane?

Albert Einstein dikur tha: “Është më e lehtë të çash atomin sesa paragjykimet e njerëzve.” Le të shpresojmë që e kishte gabim: sepse thyerja e atomit sjell rrezatim.

Tema u rikthye pas përdorimit të bombave amerikane GBU-57 – municione që mund të depërtojnë në bunkeret iranianë ku pasurohet uraniumi. IranI ka 3 objekte kryesore bërthamore: Natanz (që u godit që në orët e para), Kolan Gaz (objekti i tretë i ndërtuar), dhe më i rëndësishmi, Forlow – “mali atomik”.

GBU-57 u përdorën me siguri mbi Forlow, në jug-perëndim të Teheranit. Jo rastësisht: Natanz kishte – ose kishte para bombardimeve – 10 mijë centrifuga, por në Forlow ndodhen ato më të fuqishmet, që mund të pasurojnë uraniumin deri në 60% (për bomba duhet rreth 90%).

AIEA: nuk mund të vlerësojmë ende dëmet në Fordow

Nuk është ende e qartë shkalla e dëmeve në objektin bërthamor të Fordow-it të bombarduar nga amerikanët, por «ka indikacione të qarta të ndikimeve» të shkaktuara nga bombat amerikane “bunker buster” të lëshuara nga avionët B-2. Kështu deklaroi për CNN drejtori i përgjithshëm i AIEA-s, Rafael Grossi, duke sqaruar se për momentin «nuk mund të shprehemi për nivelin e dëmeve nëntokësore».

«Askush – theksoi ai – nuk mund të thotë sa është dëmtuar vërtet objekti në Fordow, por nuk përjashtohet mundësia që dëmet të jenë të konsiderueshme.»

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot me kërkesë të Teheranit

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet sot, me kërkesë të Teheranit, pas sulmeve amerikane mbi objektet kryesore bërthamore iraniane me bomba të fuqishme kundër bunkerëve. Lajmi është dhënë nga burime diplomatike.

Teherani pranon: ka dëme në sistemin bërthamor, por do të vazhdojmë

Irani deklaroi se njohuritë e tij në fushën bërthamore «nuk mund të shkatërrohen», pas sulmeve të SHBA-ve ndaj impianteve atomike të Republikës Islamike.

«Ata duhet ta dinë se kjo industri ka rrënjë në vendin tonë dhe se rrënjët e kësaj industrie kombëtare nuk mund të shkatërrohen,» – tha zëdhënësi i Organizatës Iraniane për Energji Atomike, Behrouz Kamalvandi, sipas agjencisë Tasnim dhe Al Arabiya.

Edhe pse Kamalvandi pranoi se «sigurisht, kemi pësuar dëme, por kjo nuk është hera e parë që industria pëson goditje», në një intervistë për agjencinë iraniane YJC ai theksoi se përpjekjet për zhvillimin e sektorit bërthamor civil do të vazhdojnë: «Duke pasur parasysh kapacitetet tona, industria bërthamore duhet të vazhdojë të funksionojë.»

J.D. Vance: Vendimi për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit është “vetëvrasje”

Plani i Iranit për të bllokuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit nuk ka kuptim dhe do të ishte një “akt vetëvrasës” për Republikën Islamike, deklaroi në kanalin ABC nënkryetari amerikan J.D. Vance.

«E gjithë ekonomia e tyre kalon përmes Hormuzit. Nëse duan ta shkatërrojnë ekonominë e tyre dhe të shkaktojnë trazira në botë, mendoj se kjo do të ishte zgjedhja e tyre. Por pse do ta bënin një gjë të tillë? Nuk ka asnjë kuptim.»

Televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Parlamenti iranian ka miratuar sot mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane. Tani pritet miratimi i Këshillit të Sigurisë.

Izraeli: objekti i Natanz-it është shkatërruar, uraniumi ishte ende aty

Sipas burimeve të mbrojtjes izraelite, sulmi amerikan ndaj Iranit ka qenë i suksesshëm dhe objekti i Natanz-it është shkatërruar plotësisht. Kështu raporton Channel 12.

Izraeli po pret ende detaje të tjera për objektet bërthamore të Fordow-it dhe Isfahanit. Sipas shërbimeve sekrete ushtarake, uraniumi i pasuruar ishte magazinuar në Natanz dhe Isfahan, dhe pjesa më e madhe e tij nuk ishte larguar nga objektet – pra ndodhej ende aty gjatë sulmit.

Mungesa e informacionit të saktë për rezultatet e sulmit mbi Fordow dhe Isfahan vjen nga fakti që të dy objektet ndodhen thellë nëntokë – jo nga frika se diçka ka shkuar keq gjatë sulmit. Vlerësimi përfundimtar do të tregojë nëse programi bërthamor iranian është dobësuar apo është zhdukur plotësisht.

Tajani: alarm maksimal në Itali për bazat amerikane dhe izraelite

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi për Tg5 Mediaset se:

«Shërbimet tona të inteligjencës dhe forcat e rendit – Karabinierët, Policia, Garda e Financës dhe Policia e Burgjeve – po punojnë intensivisht. Janë në gjendje alarmi maksimal për të parandaluar sulme ndaj objektivave izraelite, amerikane apo edhe italiane.»

Ai shtoi se: «Ekzistojnë rreziqe për shkak të pranisë së forcave amerikane dhe izraelite në Itali. Por nuk kemi sinjale për rreziqe të drejtpërdrejta ndaj vendit tonë, pasi Irani historikisht e ka parë Italinë si një vend jo armiqësor – edhe pse ne gjithmonë kemi dënuar ndërtimin e armëve atomike.»

Tajani theksoi gjithashtu se ambasadat izraelite në Romë janë të mbyllura dhe ka vëmendje të shtuar për sigurinë në vendet e kultit hebraik dhe amerikan.

Irani: Parlamenti miraton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit

Parlamenti iranian ka miratuar mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Këtë e raporton televizioni panarab Al Arabiya, duke cituar media arabe. Vendimi përfundimtar tani i takon autoriteteve të sigurisë, sipas Al Arabiya.

Amerika në gjendje alarmi, forcohen masat e sigurisë

Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të lartë gatishmërie pas sulmit të ndërmarrë kundër Iranit. Autoritetet federale dhe udhëheqës të disa shteteve dhe qyteteve të mëdha, nga New York-u në Los Angeles dhe deri në kryeqytet, po forcojnë masat e sigurisë dhe po monitorojnë kërcënimet e mundshme pas sulmeve ajrore amerikane.

«Burimet tona janë të angazhuara plotësisht. Qëndrojmë vigjilentë. Zoti bekoftë Amerikën dhe të gjithë ata që e mbrojnë atë», shkroi në platformën X (ish-Twitter) zëvendës kreu i FBI-së, Dan Bongino.

«Do të punojmë pa pushim për të mbrojtur atdheun amerikan», shkroi në X edhe sekretarja për Sigurinë e Brendshme, Kristi Noem.

Edhe udhëheqësit lokalë dhe forcat e rendit janë në gjendje gatishmërie të lartë.

Hegseth: Sulmi ndaj SHBA-ve do ishte një ide shumë e keqe

«Përpjekja për të sulmuar forcat amerikane do të ishte një ide shumë e keqe për Iranin dhe aleatët e tij».

Kështu deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Izraeli dhe Irani – Udhëzimet e Ministrisë së Jashtme italiane për shtetasit italianë

Ministria e Jashtme italiane (Farnesina) u bën thirrje qytetarëve italianë jashtë vendit ose në udhëtim të ndjekin këto rekomandime:

«Po zhvillohet një operacion ushtarak izraelit që përfshin disa zona të territorit iranian, përfshirë kryeqytetin Teheran.

Hapësirat ajrore të Izraelit, Iranit dhe vendeve përreth mund të mbyllen përkohësisht ose t’i nënshtrohen kufizimeve operative. Këto rrethana mund të shkaktojnë anulime, vonesa apo devijime fluturimesh drejt dhe nga zonat e prekura. U rekomandohet udhëtarëve të verifikojnë statusin e fluturimit të tyre pranë kompanisë ajrore përkatëse.

Qytetarëve italianë që ndodhen në territorin e Izraelit apo Iranit u këshillohet të tregojnë kujdes maksimal, të shmangin lëvizjet që nuk janë të domosdoshme, të ndjekin me përpikmëri udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të qëndrojnë të informuar vazhdimisht mbi zhvillimet e situatës.»

Gjenerali amerikan: Shtatë bombardues B-2 u përdorën në sulmin ndaj Iranit

«Shtatë bombardues strategjikë B-2 janë përdorur në sulmet kundër Iranit».

Kështu deklaroi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA-ve, gjenerali Dan Caine – një nga operacionet më të mëdha të SHBA-ve ndonjëherë me avionë B-2.

Hegseth: Programi bërthamor iranian është shkatërruar

Sulmet e natës së kaluar kishin për qëllim «të dëmtonin» dhe «të shkatërronin» kapacitetet bërthamore të Iranit dhe kanë «devastuar» programin bërthamor të vendit.

Kështu deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, në një konferencë për shtyp në Pentagon.

Operacioni u quajt «Çekiçi i Mesnatës» (Midnight Hammer), sipas Hegseth dhe gjeneralit Dan Caine.

«Ambiciet bërthamore të Iranit janë shkatërruar» – tha Hegseth.

«Urdhri që morëm nga komandanti ynë i përgjithshëm (presidenti Donald Trump) ishte i saktë, i fuqishëm dhe i qartë.»

«E kemi shkatërruar programin bërthamor iranian, por është e rëndësishme të theksohet se operacioni nuk kishte si objektiv trupat iraniane apo popullin iranian.»

Ai shtoi:

«Faleminderit udhëheqjes së guximshme dhe vizionare të presidentit Trump dhe përkushtimit të tij për paqe përmes forcës – ambiciet bërthamore të Iranit janë zhdukur.»

«Presidenti Trump ka thënë “jo” armëve bërthamore. Ai dëshiron paqe, dhe Irani duhet të ndjekë këtë rrugë.»

Top Channel