
Kolonja, është një nga zonat me numrin më të lartë të bagëtive të imta ku përveç tufave vendase në territorin e saj gjenden edhe 15 tufa migratore të ardhura nga Saranda, Konispoli dhe Vlora me nga 300 krerë secila.
Në total janë rreth 47 mijë bagëti të imta që mbahen nga blegtorët e zonës dhe ata sezonalë çka e bën Kolonjën një nga zonat më të ekspozuara ndaj infektimit dhe përhapjes së murtajës së ruminatëve. Rreziku shtohet më tej edhe për shkak të shtrirjes së konsiderueshme të vijës kufitare me Greqinë por edhe lëvizjeve të pakontrolluara apo kontrabandës.
Edhe pse situata në Kolonjë është e qëndrueshme dhe deri tani nuk janë konstatuar raste të infektuara, autoritetet kanë zhvilluar një takim me blegtorët e zonës për të shtuar kujdesin dhe garantuar zbatimin e protokolleve të sigurisë.
Qarku i Korçës ka rreth 205 mijë krerë bagëti të imëta dhe deri tani është identifikuar një rast i murtajës në fshatin Shuec në Devoll ndërsa autoritetet kanë marrë masa të menjëhershme për rastin. Nga vëzhgimet e Top Channel në terren në tregun e Çërravës dhe Korçës, siç përcaktojnë protokollet nuk lejohet shitja e të imtave dhe kontrollet janë shtuar.
Top Channel