
Ka pesë presidentë që janë përballur me këtë vendim – nëse duhet apo jo të përdoret forca ushtarake kundër Iranit: Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump.
Donald Trump është i vetmi president që përfundimisht ka vendosur për veprim ushtarak dhe kjo – sido që të shkojnë gjërat në ditët në vijim – do të jetë një pjesë thelbësore e trashëgimisë së tij politike.
Fotografitë e realizuara në “Situation Room” gjatë sulmit ndaj Iranit, ashtu si ato të Barack Obamës në maj të vitit 2011 kur ndoqi sulmin kundër kompleksit të Osama bin Ladenit, apo të George W. Bush kur në vitin 2003 dha urdhrin për të nisur luftën në Irak, do të mbeten në histori.
Ndryshe nga hera kur Trump urdhëroi sulmin për të vrarë Qassem Soleimanin, krahu i djathtë i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, këtë natë ai mbante kapelen “Make America Great Again”.
Fotografitë, të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, ofrojnë një mundësi të rrallë për të hyrë në atë moment në Situation Room, e njohur gjithashtu si salla JFK, sepse u ndërtua gjatë presidencës së Kennedy-t.
Në një nga fotot, Donald Trump, i rrethuar nga ministrat e tij, shikon përpara i patundur, duke ndjekur në një ekran misionin kundër tre objekteve iraniane për pasurimin e uraniumit.
Trump nuk është gjithmonë i ulur: në një tjetër foto ai është në këmbë, pranë shefit të shtabit të përbashkët Dan Caine, i cili po i thotë diçka Susie Wiles-it, drejtoreshës së stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Ka shishe uji gjysmë të zbrazura mbi tavolinë, një dosje e trashë me kapëse përpara një gjenerali.
Zv.Presidenti J.D. Vance dhe sekretari i Shtetit Rubio janë ulur më afër Trumpit, ndoshta tregues i ndikimit të tyre; drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, shikon me duart e bashkuara përpara dhe nuk është fotografuar Tulsi Gabbard – drejtoresha e inteligjencës kombëtare me të cilën kishte mospajtime lidhur me Iranin – ndërsa në sfond lëvizin zëvendësshefi i stafit Dan Scavino dhe avokati i Shtëpisë së Bardhë, David Warrington, i cili ngrihet për t’i pëshpëritur diçka në vesh shefit të Pentagonit.
Dan “Razin” Caine, shefi i shtabit të forcave të armatosura – gjeneral në pension, ish-pilot i F16, i emëruar nga Trump për këtë rol, i cili sot bashkë me shefin e Pentagonit Pete Hegseth do të shpjegojë në një konferencë për shtyp ndikimin e sulmit – është, bashkë me presidentin, protagonisti i këtyre fotove: ai shihet duke shpjeguar, edhe me gjeste, sulmin për të pranishmit. Trump e lavdëroi hapur më vonë kur i tha amerikanëve në televizion se tani zgjedhja i takon Iranit, dhe nëse ata zgjedhin gabim, amerikanët do të vazhdojnë të sulmojnë.
Marrëdhënia e Trump me Caine nisi gjatë një udhëtimi në Irak në vitin 2018. Siç e ka treguar vetë Trump disa muaj më parë në CPAC, konferenca e konservatorëve, presidenti e pyeti gjeneralin pse të gjithë i thoshin se do të duheshin edhe dy vite të tjera për ta përfunduar luftën kundër Shtetit Islamik. Caine iu përgjigj se kjo mund të përfundohej brenda një jave.
“Ne thjesht po i godasim nga një bazë e përkohshme në Siri,” i kishte thënë ai, sipas vetë Trump. “Por nëse na jepni leje, mund t’i godasim nga pas, nga anët, nga të gjitha drejtimet, zotëri. Ata nuk do të dinë çfarë i ka goditur.” Trump e ka cilësuar atë “një gjeneral të vërtetë, jo një gjeneral televiziv”. Fjalë që pasqyrojnë gjithashtu mënyrën se si presidenti më televiziv në historinë amerikane e sheh forcën ushtarake.
Nuk ishte zgjedhja që shpresonte një pjesë e frontit MAGA, e cila prej ditësh kundërshtonte se ndërhyrja në Iran nuk përputhet me doktrinën “America First” të Trump.
Megjithatë, kapelja MAGA që Trump mbante në Situation Room forcon një mesazh që presidenti e kishte përcjellë në një intervistë javën e kaluar për The Atlantic: “America First” do të thotë gjithçka që thotë ai.
“Duke qenë se jam personi që zhvilloi ‘America First’ dhe duke qenë se ky term nuk është përdorur para se të vija unë, atëherë unë vendos. Për ata që thonë se duan paqen: nuk mund të keni paqe nëse Irani ka një armë bërthamore. Për ata që nuk duan të kenë lidhje me situatën nëse Irani ka një armë bërthamore, u them: kjo nuk është paqe.”
Edhe shumica që nuk donin që SHBA të ndërhynte, janë rreshtuar me presidentin pas sulmit, duke theksuar se bëhet fjalë për një veprim të synuar dhe të kufizuar.
“Irani nuk i la asnjë zgjedhje presidentit Trump,” tha aktivisti Charlie Kirk, një nga zërat më të rinj të lëvizjes MAGA dhe kritik i “skifterëve” të Partisë Republikane. Ish-deputeti Matt Gaetz, të cilin Trump e kishte zgjedhur për ministër të Drejtësisë, e krahasoi bombardimin e natës me sulmin që vrau Soleimanin: “Jo luftë për ndërrim regjimi. Trump është një ndërmjetës paqeje!”.
Në Kongres, ndër republikanët më entuziastë është senatori Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, një “skifter”: “Është zgjedhja e duhur, regjimi e meriton.”
Edhe mes republikanëve që kishin shprehur dyshime për goditjen e Fordow-it, si senatori Tim Sheehy nga Montana, pati lavdërime për presidentin: “Ai mori vendimin e duhur. U them kritikëve: kjo nuk është fillim lufte, kjo është për t’i dhënë fund. Irani është në luftë me Shtetet e Bashkuara prej 46 vitesh, populli iranian duhet të ngrihet dhe t’i japë fund këtij regjimi vrasës.”
Steve Bannon drejtoi gjatë gjithë natës një transmetim të posaçëm “live” në emisionin e tij War Room, ku foli për rreziqet e një lufte të tretë botërore. “Është lëvizja më e madhe dhe më e guximshme e mandatit të parë ose të dytë të Trump,” – tha ai – por i këshilloi presidentit të mos tërhiqet nga skifterët “në një mënyrë që mund të përmbysë gjithë presidencën e tij” dhe objektivat e America First. “Është një zgjedhje si ajo e Abraham Lincoln, sepse tani je pjesë e kësaj lufte, edhe nëse thua se është e kufizuar dhe nuk do të bësh ndërrim regjimi, do të jesh nën presion.”
Top Channel