
Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të sulmuar Iranin mund të shkaktojë një luftë më të gjerë rajonale apo edhe globale, por shumë gjëra do të varen nga mënyra se si do të reagojnë Rusia dhe Kina, aleatët më të fuqishëm të Teheranit.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, tha se do të zhvillojë “konsultime serioze” me Vladimir Putinin mëngjesin e të hënës në Moskë. Vendi i tij është gjithashtu në kontakt me Pekinin.
Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut konsiderohen nga aleatët perëndimorë si një bosht i ri i fuqive autoritare, gjithnjë e më të bashkuara dhe mbështetëse të njëra-tjetrës.
Megjithatë, Donald Trump është shkëputur nga partnerët tradicionalë demokratikë të vendit të tij për të krijuar një marrëdhënie më të ngushtë me zotin Putin sesa me çdo udhëheqës tjetër amerikan në vitet e fundit.
Se sa shumë kjo mund të ndikojë në llogaritjet e Kremlinit, ndërsa Moska po analizon se si t’i përgjigjet veprimeve të tij në Iran, i shton krizës paparashikueshmëri.
Një faktor tjetër kufizues është kapaciteti fizik i ushtrisë ruse për të mbështetur Iranin ushtarakisht, duke pasur parasysh luftën e tij në Ukrainë.
Ndryshe nga aleanca e NATO-s, nuk ka një marrëveshje formale midis Moskës, Pekinit, Teheranit dhe Phenianit për t’i ardhur në ndihmë njëri-tjetrit në një krizë.
Megjithatë, dobësimi i njërit prej anëtarëve do të ndikonte në interesat jetësore kombëtare të tre të tjerëve, duke e bërë të dobishme për të dyja palët ndihmën e njëri-tjetrit – duke përfshirë edhe me forcë ushtarake ose të paktën duke furnizuar me armë.
Irani nuk ka zgjidhje tjetër veçse të hakmerret drejtpërdrejt kundër Shteteve të Bashkuara, pasi tre nga objektet e tij kryesore bërthamore u goditën brenda natës, thuhet në analizën e Sky Neës.
Aftësia e Teheranit për të lëshuar raketa balistike dhe dronë është degraduar rëndë nga valët e sulmeve izraelite që kur kryeministri Benjamin Netanyahu hyri në luftë me Iranin një javë e gjysmë më parë.
Top Channel