
Thellë në zemër të Oqeanit Atlantik, shkencëtarët kanë zbuluar një botë nënujore të pabesueshme dhe të mistershme, që mund të mbajë çelësin për të kuptuar se si filloi jeta në Tokë.
Kjo fushë e gjerë me kulla minerale, e njohur si Qyteti i Humbur (Lost City), është sistemi më i vjetër hidrotermal i njohur në oqean. E vendosur më shumë se 700 metra nën sipërfaqe, në shpatet e një mali nënujor përgjatë Rripit Mes-Atlantik, ajo është aktive prej më shumë se 120,000 vitesh.
Kullat që përbëjnë Qytetin e Humbur janë të ndërtuara nga guri karbonatik dhe disa prej tyre arrijnë lartësinë e afro 60 metrave. Ato formohen përmes një procesi unik gjeologjik të quajtur serpentinizim, ku uji i detit depërton thellë në skorjen e Tokës dhe reagon me shkëmbinj të mantelit, shkruan Daily Mail.
Këto reaksione çlirojnë gazra si metani dhe hidrogjeni, të cilët shërbejnë si burim ushqimi për mikroorganizmat që jetojnë në mungesë totale të dritës dhe oksigjenit – kushte të rralla në Tokën moderne, por të ngjashme me ato që mund të kenë ekzistuar në fillimet e planetit.
Në një zbulim të fundit, studiuesit kanë arritur të nxjerrin një kampion bërthamor shkëmbi nga manteli i Tokës, që është burimi kimik i sistemit të ventilimit të Qytetit të Humbur. Ky kampion pritet të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë më mirë reaksionet kimike që ndodhin nën dyshemenë e detit – procese që mund të kenë krijuar molekulat e para të jetës miliarda vite më parë.
I ndodhur rreth 15 kilometra në perëndim të boshtit të Rripit Mes-Atlantik, në jug të ishujve Azore, ky vend ka mbetur pothuajse i padëmtuar nga aktiviteti njerëzor, duke ruajtur një mjedis të paprekur dhe të jashtëzakonshëm për studime shkencore.
Çdo burim hidrotermal në këtë fushë ka marrë emra simbolikë si IMAX, Poseidon, Seeps dhe Nature, dhe secili prej tyre lëshon lëngje të ngrohta dhe alkaline që krijojnë një habitat të qëndrueshëm për jetën, edhe në një nga mjediset më ekstreme në Tokë.
Sot, ndërsa vëmendja globale është rikthyer tek misteret e fillimit të jetës, Qyteti i Humbur shihet si një laborator natyror unik, që mund të ndihmojë në zgjidhjen e një prej pyetjeve më të mëdha të biologjisë: Si lindi jeta nga materia jo e gjallë?
Kërkimet vazhdojnë dhe premtojnë të sjellin përgjigje që jo vetëm shpjegojnë të kaluarën tonë të largët, por mund të ndihmojnë edhe në kërkimin për jetë në planetë të tjerë.
Top Channel