Gjykata e Posaçme në Tiranë la në fuqi masën e sigurisë ‘arrest në burg’ që kishte vendosur më herët në mungesë ndaj Ado Xhika alias Ado Cërriku alias Elkier Cërriku.

E njëjta masë u vendos edhe ndaj Ervis Dakës dhe Maksim Koçit, të cilët u ekstraduan pak ditë më parë nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt vendit tone, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.

Ervis Dakës, 38 vjeç, GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

Maksim Koçit, 39 vjeç, GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

Aldo Xhikës, 40 vjeç, GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Top Channel