Organizohet për herë të parë në Preshëvë Panairi i Librit Shqip

21/06/2025 14:06

Në Shtëpinë e Kulturës “Abdulla Krashnica” u hap me krenari Panairi i Parë i Librit Shqip në Preshevë, një ngjarje historike që vendos librin dhe gjuhën shqipe në qendër të vëmendjes kulturore.

Ky panair, për herë të parë i organizuar nga Komuna e Preshevës, është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë dhe të qëndrueshëm me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Beograd, të cilën e falënderojmë për mbështetjen financiare dhe morale, veçanërisht Ambasadorin z. Bardhyl Canaj, për përkushtimin ndaj shqiptarëve të Luginës.

Në vitin 2021, këtë panair e synuam si projekt kulturor të përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë–tani po e realizojmë”, tha Kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani.

Përgjatë dy ditëve (21-22 qershor) kjo festë e librit do të bashkojë shkrimtarë, lexues dhe botues nga të gjitha trojet shqiptare.

Ky panair është një mundësi për të nderuar autorët tanë të mëdhenj — ata që me fjalën e tyre e mbajtën gjallë gjuhën shqipe edhe në kohë të errëta, që e ndërtuan identitetin tonë kulturor me mendim të thellë, me ndjenjë dhe me kurajë. Vepra e tyre është themeli mbi të cilin ndërtojmë sot.

Por ky panair është edhe një ftesë për autorët e rinj, për ata që vijnë me një zë të freskët, me tema të reja, me një gjuhë që flet për realitetin e sotëm dhe për ëndrrat e brezit të ri.

Hapjen e Panairit të parë të Librit në Preshevë e përshëndeti edhe drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli.

“Të mbledhur sot rreth librit, ne nderojmë historinë shqiptare dhe i japim asaj një dimension të ri – dimensionin e bashkëpunimit kulturor mbarëkombëtar. Prania e shkrimtarëve dhe botuesve nga të gjitha trevat shqiptare dëshmon se fjala shqipe, e shkruar dhe e lexuar, vazhdon të na bashkojë, pavarësisht kufijve. Në emër të Qendrës së Librit, Ministrisë së Ekonomisë Kulturës Inovacionit shpreh mbështetjen tonë të plotë për këtë nismë. Ne besojmë se libri është themeli i një shoqërie të ndriçuar, dhe se investimi në kulturë është investim në të ardhmen. Ky panair nuk është thjesht një ekspozitë botimesh – është një festë e mendimit dhe krijimtarisë shqiptare. Është një ftesë për të rinjtë që të afrohen me librin, për të ndërtuar ura ndërbrezore, dhe për të ruajtur identitetin tonë kulturor përmes dijes. Uroj që ky panair të bëhet një traditë vjetore që rritet me çdo edicion, dhe që e vendos Preshevën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme kulturore shqiptare”, u shpreh Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Një nismë e tillë, është një mundësi për të forcuar lidhjet tona shpirtërore, gjuhësore dhe kulturore, duke bërë që libri shqip të mos njohë kufij.

Ky panair organizohet nga Biblioteka e qytetit “Mehmet Jusufi” dhe shtëpia botuese “Albas” në Preshevë me ndihmën dhe financimin e Ambasadës së Shqipërisë në Beograd dhe me mbështetjen e komunës së Preshevës. Panairi do të vizitohet edhe nga Ministri i Ekonomisë Kulturës Inovacionit Blendi Gonxhe, i cili do të përshëndesë këtë festë të fjalës shqipe.

“Le të jetë kjo ngjarje fillimi i një tradite të përvitshme, një festë e mendjes shqiptare në Preshevë.

Presheva flet më fort–përmes librit, përmes dijes dhe përmes dashurisë për gjuhën shqipe”, u shpreh kryetarja Sinani.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel