
Në hapësirat e ish-Kampit të Internimit në Tepelenë me iniciativë të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, u mbajt një meshë përkujtimore për mijëra qytetarë shqiptarë që vuajtën dhe humbën jetën gjatë regjimit komunist.
Ceremonia u zhvillua në mjediset oborrit të ish kampit, me praninë e përfaqësuesve të lartë të Kishës Katolike. Përmes meshës u përcoll një thirrje për kujtesë historike ,veçanërisht për viktimat civile, si një domosdoshmëri morale dhe shoqërore në përballjen me të kaluarën.
Meshën e udhëhoqi Imzot Simon Kulli, Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, i cili në fjalën e tij u ndal te dhimbja e thellë që mbart ky vend, veçanërisht për fëmijët dhe familjet që u internuan vetëm pse konsideroheshin kundërshtarë të regjimit.
Ai theksoi se “harresa është një padrejtësi e re” dhe se këto vuajtje nuk duhet të mbulohen me heshtje, por të kujtohen me dinjitet dhe drejtësi.
“Kisha Katolike sot u mblodh me të gjithë hierarkinë e vet dhe të gjithë meshtarët në ish-kampin e Tepelenës, aty ku për shumë vite, gjatë kohës së persekutimit të egër diktatorial të Enver Hoxhës, u internuan shumë familje dhe shumë njerëz vdiqën në kushte çnjerëzore. Një numër i madh foshnjash gjithashtu vdiq në këtë vend. Ishte, si të them, Aushvici shqiptar. Dhe në perspektivën e mos harresës, si përgjegjësi shoqërore dhe kombëtare, u mblodhëm për të kujtuar viktimat ,të gjithë ata që vuajtën, u vranë, por edhe ata që qëndruan të palëkundur në mbrojtje të dinjitetit dhe lirisë njerëzore”, tha Dom Mark Pashka, zëdhënës i Ipeshkvisë Shkodër.
Ish-kampi i Tepelenës, i ngritur më 1949 në ish-barakat italiane, funksionoi deri në fund të vitit 1953 dhe mbetet një nga simbolet më të egra të persekutimit komunist. Në të u internuan rreth 6 000 persona nga rreth 1 500 familje, e mes tyre edhe qindra fëmijë. Për shkak të kushteve çnjerëzore, urisë, mungesës së mjekimit dhe punës së detyruar, humbën jetën disa qindra vetë, përfshirë edhe rreth 300 fëmijë.
Në vitin 2017, në qendër të rrënojave të kampit të njohur si “Aushvici shqiptar” u krijua “Pylli i Fëmijëve”, si një simbol përkujtimor për qindra fëmijë e foshnje që humbën jetën aty.
Po atë vit, kampi mori vëmendje ndërkombëtare përmes një raporti të Qeverisë së SHBA në OKB, por planet për ngritjen e një muzeu memorial mbeten ende të pazbatuara.
Top Channel