
Mbi 80,000 trëndafila, fustane të shtrenjta shoqëruesesh nusesh, shërbim ushqimi që do të kushtojë një mijë euro për person, një shfaqje me dron dhe holograme.
Kështu e përshkruajnë mediat italiane dasmën e Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez, madje duke përmendur se eventi do të duket më shumë si një “shfaqje teatrale” sesa një festë.
Dasma pritet të zhvillohet në fund të qershorit, do të zgjasë tre ditë dhe do të ketë mbi 200 të ftuar, përfshirë biznesmenë dhe yje të Hollivudit.
Sipas Wall Street Journal, dasma do të kushtojë të paktën 10 milionë dollarë. “Ata duan që eventi të jetë më i paharrueshëm në jetën e tyre dhe të të gjithë të ftuarve të tyre”, tha për gazetën, Sarah Haywood, organizatore dasmash me bazë në Londër.
Sipas saj, edhe shërbimi i ushqimit do të shkojë përtej çdo standardi. Kuzhinierë të vlerësuar me çmime, stilistë ushqimi dhe artistë koktejlesh do të përcaktojnë menunë. Për t’u siguruar që gjithçka të shkojë mirë, do të ketë një ekip prej të paktën 500 personash që do të jenë të pranishëm në dasmë në çdo kohë. Pavarësisht se është personi i tretë më i pasur në botë, dasma e Jeff Bezos do të duhet të mbetet brenda një buxheti të caktuar.
Festimi do të jetë “intim”, me pjesëmarrjen vetëm të familjes dhe miqve të ngushtë, sipas një raporti nga Brides.
Nusja e ardhshme organizoi një festë beqarie në Paris në mesin e majit për të festuar dasmën e saj të afërt. Sipas People, Kris Jenner, Eva Longoria, Kim Kardashian dhe Katy Perry ishin ndër të pranishmit.
Kush është në listën e të ftuarve në dasmë?
Sipas raportimeve, midis të ftuarve në dasmë do të jenë Ivanka Trump dhe Jared Kushner, Kris Jenner, Kim Kardashian, Katy Perry dhe Orlando Bloom.
Është gjithashtu e mundur që Oprah, Bill Gates, Miranda Kerr dhe personazhe të tjerë të famshëm të marrin pjesë, duke marrë parasysh se kush ishte i pranishëm në fejesën e çiftit.
Ku do të qëndrojnë të ftuarit?
Sipas New York Post, çifti dhe të ftuarit e tyre do të qëndrojnë në Aman Venice dhe Gritti Palace, të cilat kushtojnë rreth 500,000 dollarë për natë. Kostoja e eventit po rritet nga tarifat e ankorimit për jahtin e çiftit, i cili do të përdoret për “ekskursione, foto dhe shpenzime të tjera”.
“Për të siguruar që eventi të respektojë plotësisht ndjeshmërinë dhe veçantinë e qytetit, ne po bashkëpunojmë dhe mbështesim organizatorët”, deklaroi çifti pak kohë më parë.
Top Channel