Lideri i opozitës bjelloruse, Sergei Tikhanovsky, lirohet nga burgu

21/06/2025 18:38

Lideri i opozitës bjelloruse, Sergei Tikhanovsky, është liruar nga burgu, tha bashkëshortja e tij Sviatlana Tikhanovskaya në një postim në X të shtunën.

Lirimi erdhi menjëherë pasi Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko u takua me të dërguarin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Ukrainën, Keith Kellogg, në Minsk.

Politikani 46-vjeçar u burgos në vitin 2020. Tikhanovskaya, e cila ndërmori veprime opozitare pas burgosjes së bashkëshortit, postoi një video të tij duke buzëqeshur dhe duke e përqafuar atë pas lirimit të tij me mbishkrimin: “I LIRË”.

“Është e vështirë të përshkruaj gëzimin në zemrën time”, tha ajo në postimin e saj, duke falënderuar Presidentin e SHBA-së Donald Trump, të dërguarin e SHBA-së Keith Kellogg dhe aleatët evropianë. Ajo shtoi sot se zyrtarë nga Shtetet e Bashkuara ndihmuan në sigurimin e lirimit të burrit të saj.

Tikhanovsky planifikoi të kandidonte kundër Lukashenkos në zgjedhjet presidenciale të gushtit 2020, por u arrestua dhe u ndalua disa javë para votimit. Ai u dënua në vitin 2021 me 18 vjet burg për “organizim trazirash” dhe “nxitje të urrejtjes”, dhe më pas me 18 muaj të tjerë për “mosbindje”.

Gruaja e tij, Svetlana, megjithëse pa përvojë në politikë në kohën e arrestimit të tij, zuri vendin e tij në qendrat e votimit, por zgjedhjet shihen sërish gjerësisht si të pabesueshme.

Top Channel