Frika nga luftërat! Psikologët: Konfliktet kanë efekte negative edhe në ato vende që janë larg

21/06/2025 12:14

Lufta që na duket aq e largët, për disa popuj tanimë është një realitet i përditshëm, ku duhet të jetojnë mes frikës së raketave dhe bombardimeve.

Pamjet që vijnë nga Ukraina, Gaza, Irani dhe Izraeli janë të rënda, ku shihen vuajtjet njerëzore. E gjitha kjo, po shton pasiguritë edhe për vendet e tjera, të cilat nuk janë të përfshira në konflikt, por druhen për nisjen e një lufte që mund të përfshijë të gjithë botën.

“Kur flasim për luftën gjëja e parë që na shoqëron janë emocionet e frikës, që lidhet me pasiguritë tek individi, gjëra që na bëjnë të ndihemi të pasigurt në vetvete, të shoqërohemi me ankth dhe aq më tepër ka të bëjë me mënyrën se si ne do të reagonim dhe do të silleshim.

Në shumicën e rasteve frika është tek të gjithë. Duke parë çfarë ndodh përqark po themi gjithë botës tani se nuk kemi vetëm një vatër lufte por kemi disa, patjetër që frika më e madhe për pjesën më të madhe të popullsisë është e ardhmja dhe mënyra se si ata do të reagonin-shprehet Arjana Muça.

Psikologja Arjana Muca, thotë se shqetësimet që lindin për shkak të situatave të tilla është mirë që të bisedohen me miqtë apo familarët, por një kujdes i shtuar duhet ndaj fëmijëve, të cilët e kanë më të vështirë për ti përballuar emocionalisht  pamjet apo informacionet që lidhen me vendet që janë në luftë.

“Në radhë të parë të mbështesim emocionalisht atë që është pjesa më delikate, unë do të thoja fëmijën sepse të rriturit në vetvete janë po aq të përgatitur për ti përballuar emocionalisht pamjet që shohin . Fëmijët e kanë më të vështirë dhe prindërit është mirë që të bisedojnë,të tregojnë rreth luftës, cilat janë pasojat, çfarë ndodh dhe si ne mundemi ti ndihmojmë ata persona të cilët kanë nevojë për ndihmë”.

Përballë kësaj vale shqetësimesh, sytë e qytetarëve janë kthyer nga diplomacia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Top Channel