
Pas gati tre javësh bllokimi, kompania shumëkombëshe kanadeze Aylo, pronare e faqeve të internetit si Pornhub, YouPorn dhe Redtube, ka rikthyer aksesin në platformat e saj në Francë, sipas Politico.
Vendimi i Aylo vjen pas një fitoreje të madhe ligjore për industrinë e pornografisë të hënën, kur një gjykatë franceze vendosi që autoritetet franceze nuk mund të vendosin kërkesa për verifikimin e moshës për kompanitë me seli në shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Aylo mban selinë e saj evropiane në Qipro.
Në një deklaratë, kompania e quajti vendimin “një mundësi për të shqyrtuar zgjidhje më efektive”, në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian. Në të njëjtën kohë, ajo përsëriti qëndrimin e saj në favor të verifikimit të moshës në nivelin e pajisjes dhe jo përmes faqeve të internetit, duke përmendur arsyet për mbrojtjen e privatësisë së përdoruesve.
Mbrojtja e të miturve në mjedisin dixhital është një përparësi për shumë vende evropiane, me Francën që udhëheq përpjekjet për të kufizuar aksesin e të miturve në përmbajtje të dëmshme në internet. Presidenti Emmanuel Macron dhe Ministrja e Çështjeve Dixhitale Clara Chapa po shtojnë presionin për një kufi moshe në të gjithë Evropën prej 15 vjeç për përdorimin e mediave sociale.
Qeveria franceze planifikon të apelojë vendimin e gjykatës.
Top Channel