Ekspozita për Ballkanin/ Hapet në Korçë me fotot e zbulimeve të bëra në Gradishtë, hedhin dritë mbi historinë e rajonit

21/06/2025 13:09

Zbulimet e bëra në Gradishte, afër Bitolas, një nga sitet arkeologjike më të pasura të Maqedonisë së Veriut që po hedhin dritë mbi historinë e Ballkanit janë sjellë në Korçë përmes një ekspozite fotografike.

Përgjatë dy viteve të fundit në këtë sit arkeologjik u zbuluan monedha të cilat datojnë që nga koha e Aleksandrit të Madh.

Për arkeologun, Engin Nasuh në vendbanimin që ka qenë një qendër e rëndësishme qytetërimi krahas monedhave janë gjetur edhe artefakte të tjera që datojnë nga neoliti i vonë deri në periudhën e bronzit çka dëshmon shkëmbimet tregtare, politike dhe kulturore në Ballkan.

“Këto zbulime janë nga siti arkeologjik i Gradishtës dhe mund të themi që ky është gërmimi më i rëndësishëm që po bëhet momentalisht në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Një nga gjetjet më të rëndësishme që duhet të përmendim është një poçe me monedha romane prej argjendi që na tregojnë një histori që zgjati për 60 vjet dhe ka te bëjë me prodhimin e monedhave në rajon, sepse prodhimi i monedhave në perandorinë romake ishte i lidhur me ngjarje specifike që ndodhnin në atë periudhë. Me çfarë kemi zbuluar këtu jemi të vetëdijshëm që kjo është një qendër ekonomike politike që ka qenë e lidhur me Apolloninë, Dyrrahun, Selanikun etj.”

Ekspozita erdhi si një mundësi që publiku të njohë më mirë historinë e pasur të Ballkanit dhe të ndjejë lidhjen me të kaluarën e lashtë të këtij rajoni.

 

Top Channel