Dasma hasiane/ Rituali autentik, veshjet popullore dhe muzika tradicionale u kthyen në spektakël

21/06/2025 12:58

Në Has u mbajt “Dasma Hasiane”, një aktivitet që risolli me krenari një nga traditat më të vjetra shqiptare.

Me rite autentike, veshje popullore dhe muzikë tradicionale, kjo ngjarje u shndërrua në një manifestim të gjallë të trashëgimisë sonë kulturore.

Aktiviteti u nderua me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Kuvajtit në Shqipëri, si dhe përfaqësuesve nga komunat Gjakovë, Prizren dhe Rahovec.

 “Me të vërtetë pashë shumë ngjashmëri me traditat tona. Sidomos tek momenti që dhëndri nuk e sheh nusen deri në fund, një zakon që e kemi edhe ne. Jam shumë i lumtur që jam sot këtu”, u shpreh ambasadori i Kuvajtit, Shkëlqesia e Tij, Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dossari.

Pjesë e organizimit ishin Përparim Brati dhe Flutura Aliaj, të cilët rikrijuan me përkushtim dasmën tradicionale, duke respektuar ndarjen e roleve mes burrave dhe grave, si dikur, dhe duke theksuar elementët simbolikë të saj.

Etnografja Afërdita Onuzi theksoi rëndësinë e ruajtjes së kësaj trashëgimie për të rinjtë, duke veçuar elementë si veshjet, ritualet dhe këngët e dasmës.

Koreografi Deli Metalia, i pranishëm si spektator, e vlerësoi aktivitetin si një ngjarje me vlerë të veçantë për kulturën popullore shqiptare. Me një kontribut të çmuar mori pjesë edhe mësuesja në pension dhe studiuesja e lirikës hasiane, Shkurte Mulaj, duke përmbushur një nga dëshirat e saj të hershme për të përcjellë këto vlera.

Ndërkohë, Ilirjeta Krasniqi emocionoi publikun me interpretimin e ninullës – një simbol i jetës dhe vazhdimësisë së brezave.

“Dasma Hasiane” ishte më shumë se një shfaqje, ishte një rikthim në rrënjët tona, një mesazh i fuqishëm për ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë autoktone.

 

Top Channel