Çelin tre vezë të shpendit më të rrallë në botë, moment historik për shpëtimin e specieve në zhdukje

21/06/2025 15:21

Stafi i një kopshti zoologjik në Mbretërinë e Bashkuar ka luajtur një rol kyç në çeljen e tre vezëve të njërit prej zogjve më të rrallë në botë – pëllumbit me sy blu

Kjo arritje konsiderohet një moment historik në përpjekjet globale për mbrojtjen e kësaj specieje në zhdukje.

Tre zogj të vegjël të kësaj specie u rritën me sukses në Brazil, duke rritur ndjeshëm shanset për mbijetesën e këtij zogu tepër të rrallë, për të cilin besohet se ekzistojnë vetëm 11 individë të lirë në natyrë.

Një ekip ndërkombëtar, që përfshinte ekspertë nga Kopshti Zoologjik i Chesterit në Britani, bashkë me ambientalistë nga Brazili dhe Shtetet e Bashkuara, arriti ta rikthejë këtë specie në shtetin brazilian të Minas Gerais – i vetmi vend në botë ku gjendet ende në natyrë. Ekspertët theksojnë se mbërritja e zogjve të sapoçelur është jetike për të rritur popullatën dhe për të garantuar mbijetesën e llojit.

Pëllumbi me sy blu ka qenë një mister për shkencëtarët për më shumë se 70 vjet, pasi nuk kishte pasur prova të konfirmuara të ekzistencës së tij deri në vitin 2015.

“Është një privilegj i jashtëzakonshëm për Kopshtin Zoologjik të Chesterit të marrë pjesë në projektin për ruajtjen e pëllumbit me sy blu,” deklaroi Andrew Owen, menaxheri i zogjve në këtë institucion. “Kjo specie unike është në prag të zhdukjes dhe, pa përkushtimin dhe pasionin e të gjithë ambientalistëve të përfshirë, ky zog mund të ishte zhdukur përgjithmonë. Këtë vit, tre zogj të tillë janë rritur me sukses.”

Përpjekjet për çeljen e vezëve nisën në fillim të këtij viti, kur një ekip ekologjistësh brazilianë dhe ndërkombëtarë ndërmorën një iniciativë për të shpëtuar një numër të vogël vezësh të braktisura në natyrë. Andrew Owen dhe Victoria Kaldis, kryekujdestarja e zogjve në Kopshtin Zoologjik të Chesterit, udhëtuan në Brazil për të ofruar mbështetje teknike dhe për të ndihmuar në rritjen e zogjve.

Projekti u drejtua nga Parque das Aves në Minas Gerais dhe organizata SAVE Brasil, me mbështetje shtesë nga Kopshtet Zoologjike të Toledos dhe Bronxit në SHBA.

“Është emocionuese të shohësh këta zogj të vegjël. Çdo çelje përfaqëson një mundësi reale për të ndryshuar fatin e kësaj specieje,” u shpreh Paloma Bosso, drejtoreshë e Parque das Aves. “Është një gëzim i madh, por edhe një përgjegjësi e madhe. Me mbërritjen e këtyre tre zogjve të vegjël, Parque das Aves tani kujdeset për gjashtë pëllumba me sy blu. Të gjithë monitorohen me kujdes dhe janë pjesë e një programi të koordinuar për ruajtjen e tyre.”

Pëllumbi me sy blu është klasifikuar si “Në Rrezik Kritik” sipas Listës së Kuqe të Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Top Channel