Themeluesi i aplikacionit të mesazheve të menjëhershme Telegram, Pavel Durov, thotë se më shumë se 100 fëmijët e tij do të ndajnë pasurinë e tij, e cila vlerësohet në 13.9 miliardë dollarë (gati 12 miliardë euro).

“Ata janë të gjithë fëmijët e mi dhe të gjithë do të kenë të njëjtat të drejta! Nuk dua që ata të luftojnë me njëri-tjetrin pas vdekjes sime”, tha Durov për revistën franceze Le Point. Durov thotë se është “zyrtarisht” babai i gjashtë fëmijëve me tre partnerë të ndryshëm, por ka më shumë se 100 fëmijë në total, pasi ka dhuruar spermën në një klinikë fertiliteti.

Manjati rus i teknologjisë tha gjithashtu se fëmijët e tij nuk do të kenë qasje në trashëgiminë e tij për 30 vitet e ardhshme. “Dua që ata të jetojnë si njerëz normalë, të ndërtojnë jetën e tyre, të mësojnë të besojnë në forcën e tyre, të jenë në gjendje të krijojnë, të mos varen nga një llogari bankare”, tha ai. Miliarderi 40-vjeçar i vetë-mërguar shtoi se po e shkruante testamentin e tij tani sepse puna e tij “përfshin rreziqe”. “Mbrojtja e lirive krijon shumë armiq, madje edhe brenda shteteve të fuqishme”, tha ai.

Aplikacioni i Durovit, Telegram, është i njohur për theksin e tij në privatësi dhe enkriptim të bisedave dhe ka më shumë se një miliard përdorues aktivë mujorë. Durov komentoi në intervistë mbi akuzat penale me të cilat përballet në Francë, ku u arrestua vitin e kaluar me akuzën e dështimit për të bërë mjaftueshëm për të ulur krimin përmes aplikacionit.

Ai mohon se ka dështuar të bashkëpunojë me autoritetet në rastet e trafikimit të drogës, materialeve të abuzimit seksual me fëmijë dhe mashtrimit. Telegram gjithashtu ka mohuar se ka mungesë mbikëqyrjeje në platformë. Në intervistën e tij me Le Point, ai i quajti akuzat “krejtësisht absurde”. “Fakti që kriminelët përdorin shërbimin tonë – si shumë të tjerë – nuk do të thotë që administratorët e tij janë kriminelë”, shtoi ai.

Top Channel