
Me kërkesë të Ilir Metës, i paraburgosur prej 8 muajsh, SPAK raportoi para gjyqtarit antikorrupsion Erjon Çela se cilat janë veprimet hetimore që ka kryer prej ditës kur e arrestoi ish-presidentin e vendit, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë.
Prokurori Sotir Kllapi raportoi se gjatë dy muajve të fundit si edhe ditët e para te qershorit, ripyeti disa ish-eksponentë të kësaj partie, ndërkohë që ka dërguar kërkesa për ekspertizë financiare mbi shpenzimet e çiftit Meta – Kryemadhi.
Ndërkohë që gjykata do t’i dëgjojë kërkesat konkrete në datën 26 qershor.
Pas shtyrjes së gjyqit, Ilir Meta reagoi nga burgu përmes një postimi në rrjetet sociale duke thënë ndër të tjera se mban përgjegjësi vetëm për veten e tij dhe jo për Kryemadhin, që tashmë është ish-bashkëshortja e tij.
Reagimi i Metës:
Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër, edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksione të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi.
Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u komunikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.
Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën. Asnjë akt i paligjshëm, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër. Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës.
Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami.
Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve.
Meqë jemi te lobimet dhe Kryesia e Partisë së Lirisë e ka shumë të qartë, për opinionin publik kam një pyetje: Po letërporosia për Charles McGongial, që është 4 vite i dënuar me burg, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur “me not”.
Top Channel