
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, gjatë fjalës të saj në Samitin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po zhvillohet në Bruksel, theksoi se Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit dhe i bën thirrje Iranit të ndërpresë aktivitetet bërthamore.
“Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit dhe i bëjmë thirrje Iranit të ndërpresë aktivitet bërthamore dhe raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe traktatin për mospërhapjen e armëve bërthamore”-tha Spiropali.
Spiropali theksoj edhe mbështetjen e plotë ndaj Ukrainës si dhe thirrje Rusisë të ndalojë luftën.
Fjala e plotë e Spiropalit:
Është nder dhe privilegj për mua ti drejtohem kësaj Asambleje të nderuar në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
I shpreh mirënjohjen tonë organizatorëve dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s për organizimin e kësaj seance të rëndësishme në një kohë kritike për rrugëtimin e sigurisë tonë të përbashkët, vetëm disa ditë përpara një Samiti vendimtar të NATO-s, që do të mbahet në Hagë.
NATO mbetet gurthemeli i sigurisë tonë transatlantike dhe një dëshmi e gjallë e fuqisë së vlerave të përbashkëta: demokracisë, sundimit të ligjit, lirisë individuale dhe mbrojtjes së përbashkët.
Shqipëria është krenare që qëndron e vendosur në këtë Aleancë – jo vetëm si anëtare, por si një kontribuese e angazhuar ndaj vizionit dhe misionit të saj.
Sot takohemi nën hijen e trazirave të mëdha gjeopolitike. Lufta e paprovokuar dhe e paligjshme e agresionit që Rusia ka ndërmarrë kundër Ukrainës vijon të minojë vetë themelet e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Ne, si parlamentarë, si demokratë dhe si aleatë nuk mundemi dhe nuk duhet të qëndrojmë vëzhgues pasivë. Shqipëria, pa asnjë mëdyshje, e ka dënuar këtë agresion dhe i është bashkuar të gjitha masave të NATO-s dhe BE-së, në solidaritet me Ukrainën, përfshi sanksionet, ndihmën ushtarake dhe mbështetjen humanitare.
Unë personalisht pata nderin, pak ditë më parë, të marr pjesë në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, i mbajtur në Odesa, për të përsëritur dhe një herë mbështetjen tonë të plotë dhe pa rezerva ndaj Ukrainës, por edhe për të parë nga afër realitetin e vështirë të jetës nën kërcënime të vazhdueshme, si dhe për t’iu bashkuar Presidentit Zelenski dhe liderëve të tjerë në thirrjen për të ndaluar menjëherë këtë luftë brutale dhe për një proces domethënës që çon drejt një paqejes të drejtë.
Kolegë, Sikur bota nuk kishte parë mjaftueshëm trazira gjatë viteve të fundit, përshkallëzimi ushtarak së fundmi midis Iranit dhe Izraelit vetëm e rëndon më shumë një botë të bazuar në rregulla, që tashmë është nën trysni të madhe.
Shqipëria i bën thirrje Iranit të ndërpresë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.
Një botë që po del jashtë kontrollit kërkon që ne të jemi shumë vigjilentë në të gjitha frontet, përfshi rajonin tonë. Në Ballkanin Perëndimor ndikimet keqdashëse vazhdojnë përpjekjet e tyre për të destabilizuar institucionet demokratike, të nxisin ndasitë dhe të minojnë aspiratat euro-atlantike.
Shqipëria beson fort se siguria e Ballkanit Perëndimor është e pandashme nga siguria e Evropës dhe e gjithë hapësirës më të gjerë të NATO-s. I bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve tanë të kenë një angazhim të fuqishëm, politik dhe ushtarak, në rajonin tonë,
Shqipëria, që me anëtarësimin e saj në vitin 2009, e ka treguar vazhdimisht angazhimin e saj ndaj Aleancës dhe përkushtimin e palëkundur ndaj sigurisë së përbashkët, përmes kontributeve politike, operacionale dhe financiare.
Qeveria jonë ka rritur ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen dhe tashmë e ka arritur synimin prej 2% të PBB, në përputhje me qëllimin e Aleancës për ndarjen e barrës. Ne mbështesim Zotimin e ri për Investime në Mbrojtje: 3.5% për mbrojtjen bazë dhe 1.5% për fusha të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë, një instrument shumë i rëndësishëm për të treguar angazhimin tonë të përbashkët ndaj besueshmërisë së NATO-s dhe mbrojtjes kolektive në të ardhmen.
Në këtë mënyrë, ne po modernizojmë forcat tona të armatosura, duke shtuar ndërveprueshmërinë dhe duke ngritur në vend infrastrukturë kyçe për NATO-n, përfshi transformimin e Bazës Ajrore të Kuçovës në një qendër strategjike për Aleancën në Ballkanin Prendimor.
Por, siguria në shekullin 21-të shkon shumë përtej tankeve dhe trupave. Kërcënimet hibride, fushatat e dezinformimit, sulmet kibernetike dhe përdorimi i energjisë dhe migracionit si armë kërkojnë një përgjigje gjithëpërfshirëse.
Parlamentet tona duhet të luajnë një rol kryesor – në ligjbërje, në mbikqyrje dhe në diskursin publik. Ne në Shqipëri po forcojmë qëndrueshmërinë institucionale, duke investuar tek siguria kibernetike dhe duke punuar për të luftuar narrativat keqdashëse që kërkojnë të shfrytëzojnë çarjet sociale dhe politike.
Ne gjithashtu besojmë fort se siguria jonë është e ndërlidhur me zhvillimin e institucioneve demokratike, të drejtave të njeriut dhe mundësive ekonomike.
Një demokraci rezistente është mbrojtja më e mirë ndaj përmbysjes nga jashtë. Prandaj, Shqipëria mbështet partneritetet e NATO-s me vende me mendësi të njëjtë, nga Ballkani Perëndimor deri në Indo-Paqësor, si dhe zgjerimin e vazhdueshëm të Aleancës tonë.
Ne kemi mbështetur fort dhe kemi përshëndetur anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë, dhe mbështesim aspiratat e partnerëve të tjerë të kualifikuar që kërkojnë të anëtarësohen në NATO. Zgjerimi na forcon të gjithëve dhe për këtë arsye ne vijojmë të mbështesim fort Politikën e Dyerve të Hapura të Aleancës.
Të nderuar kolegë, Ne, si ligjvënës kemi një përgjegjësi unike. Roli ynë nuk kufizohet vetëm tek caktimi i buxheteve të mbrojtjes apo ratifikimi i traktateve. Ne jemi mbrojtësit demokratikë të zgjedhjeve që vendet tona bëjnë për sigurinë. Ne jemi ura midis forcave tona të armatosura dhe qytetarëve tanë. Ne duhet të garantojmë që misioni i NATO-s jo vetëm të mbrohet në fushëbetejë, por edhe të shpjegohet, të kuptohet dhe të mbështetet në vendet tona.
Le ta përdorim këtë Asamble jo vetëm si një platformë dialogu, por si një katalizator për veprim të koordinuar. Le të shkëmbejmë praktikat më të mira për mbrojtjen e proceseve demokratike, për luftimin e terrorizmit dhe fuqizimin e qytetarëve tanë me fakte, jo frikë.
Duke parë përpara, Shqipëria mbështet një NATO me qasje progresive, politikisht e bashkuar, ushtarakisht e fuqishme dhe strategjikisht e zhdërvjelltë. Ne duhet të investojmë në teknologjitë në zhvillim, të rrisim aftësinë tonë për të projektuar stabilitet përtej kufijve tanë dhe të mbrojmë parimin se një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve.
Uniteti ynë mbetet forca jonë më e madhe. Le të mos e marrim për të mirëqenë. Në një epokë ndryshimesh të shpejta dhe kërcënimesh të vazhdueshme, NATO duhet të mbetet jo vetëm relevante, por e domosdoshme. Shqipëria është e gatshme të japë kontributin e saj — me vendosmëri, me përgjegjësi dhe me respekt për vlerat që na bashkojnë.
Në këtë frymë dhe me këtë vendosmëri, jemi të lumtur dhe të nderuar të mikpresim në Tiranë, mbas dy vitesh, në vitin 2027, samitin e parë të NATO-s në rajonin tonë.
Ky vendim jo vetëm tregon angazhimin tonë ndaj stabilitetit, unitetit dhe bashkëpunimit rajonal, por edhe shpjegon rëndësinë strategjike të angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s në Ballkanin Perëndimor.
Duke e mbyllur, më lejoni të përsëris angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë ndaj parimeve dhe objektivave të kësaj Asambleje. Ne qëndrojmë së bashku – në dialog, në mbrojtje dhe në vendosmëri për një botë më të mirë dhe më të sigurtë për ne dhe për të gjithë.
Top Channel