Shtyhet gjyqi ndaj Ilir Metës, avokati i ish-presidentit: Është në formë perfekte, i bën të gjitha…

20/06/2025 12:25
Avokati i Metës duke hyrë në SPAK

Me kërkesë të Ilir Metës, i paraburgosur prej 8 muajsh, SPAK raportoi para gjyqtarit antikorrupsion Erjon Çela se cilat janë veprimet hetimore që ka kryer prej ditës kur e arrestoi ish-presidentin e vendit, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë.

Prokurori Sotir Kllapi raportoi se gjatë dy muajve të fundit si edhe edhe ditët e para te qershorit, ripyeti disa ish-eksponentë të kësaj partie, ndërkohë që ka dërguar kërkesa për ekspertizë financiare mbi shpenzimet e çiftit Meta – Kryemadhi.

Kjo seancë duhet të ishte gjithashtu dita kur gjykata duhet të shqyrtonte kërkesën për ndryshimin e masës së arrestit në burg, që Meta thotë se duhet hequr e për këtë ka sjellë në kujtesë precedentin Gëllçi, të cilit iu dha të drejtë në Strasburg për kohën e paraburgosjes. Deri më tani ish-presidenti nuk ofron opsione të tjera sikurse do të ishte garancia pasurore, ndërkohë që gjykata do t’i dëgjojë kërkesat konkrete në datën 26 qershor.

Garanci nuk do të ofrojmë se meta nuk ka pasuri“, tha avokati Kujtim Cakrani.

Meta nuk ishte i pranishëm në seancë, por shprehu vullnetin e tij përmes një deklarate me shkrim.

Në respekt të qytetarëve, të cilëve u kam shërbyer edhe si President i Republikës, edhe si Kryeministër, edhe si Kryetar i Kuvendit, edhe në funksone të tjera ekzekutive dhe parlamentare, distancohem me neveri nga dizinformacionet e shpërndara dhe të rrjedhura në media me urdhër të Edi Ramës dhe Altin Dumanit, për gjoja episode të reja të çiftit Meta-Kryemadhi.

Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u kominikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti.

Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën. Asnjë akt i paligjshëm, as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër. Opinioni publik do ta shohë këtë gjatë gjykimit në themel, që nuk mund të jetë i mbyllur si “listat e mbyllura,” por do të jetë i hapur për qytetarët, ku ne do të çmontojmë akuzat e shërbëtorëve të Edi Ramës dhe ku të gjithë do t’i shohin edhe “dëshmitarët” të Edi Ramës.

Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përjegjësi për kushërinjtë e tij, pasi siç e dini një prej tyre ishte edhe mik me Charles McGonigalin, iniciatorin me kërkesë të Edi Ramës për nisjen e hetimeve ndaj Ilir Metës edhe për çështjen CEZ-DIA edhe për çështjen Bami.

Por prokurorët e Ramës i kërkojnë Ilir Metës të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë, shokët dhe shoqet e të tjerëve.
Meqë jemi te lobimet dhe Kryesia e Partisë së Lirisë e ka shumë të qartë, për opinionin publik kam një pyetje: Po letërporosia për Charles McGongial, që është 4 vite i dënuar me burg, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur “me not”?

Mbrojtja ka kërkuar që të njihet me veprimet e SPAK që siç ka raportuar Top Channel në datën 27 maj kur ai u mor i pandehur bashkë me katër të tjerë, mes tyre edhe Monika Kryemadhi, nuk i ka mbyllur hetimet po vazhdon ende me një kohë shtesë prej tre muajsh.

Komunikimi i akuzës u krye për shkak se në datën 29 maj parashkruhej njëra nga veprat, ajo e mos deklarimit të shpenzimeve mjekësore. SPAK ka pushuar episodin e lobimit përmes Mekkeon Grup për inaugurimin e presidentit Donald Trump. Ndërsa nga përgjigjet e të huajve, ka shtuar vlerën e korrupsionit nga Shatku ndaj çiftit.

Top Channel