Makina e policisë kaloi pranë të plagosurit në ‘Lezhë-Milot’ dhe nuk ndaloi, autoritetet: Po bëhej transportimi i një të paraburgosuri

20/06/2025 22:07

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie që kalon pranë një aksidenti rrugor pa ndaluar, Policia ne Lezhës ka reaguar zyrtarisht.

Sipas policisë, automjeti i Policisë që shfaqet në video është i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lezhë, i cili ishte në përmbushje të një detyre zyrtare, duke shoqëruar një shtetas të paraburgosur, me masë sigurie “arrest në burg”, drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shënkoll, Lezhë.

Sipas përcaktimeve të “Manualit për trajtimin e personave të shoqëruar, ndaluar dhe arrestuar në ambientet e Policisë”, ndalimi i mjetit të shërbimit gjatë transportit të personave të arrestuar nuk lejohet për arsye sigurie, përveç rasteve kur ndalohet në ambientet e burgut ose në strukturat përkatëse të Policisë, siç parashikohet nga legjislacioni në fuqi.

“Përsa i përket aksidentit rrugor, sqarojmë se në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Policisë Rrugore, të cilat janë njoftuar nga Patrulla e Përgjithshme që po transportonte të paraburgosurin drejt IEVP Shënkoll, Lezhë.

Gjithashtu, sqarojmë se drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. K., i dëmtuar gjatë aksidentit rrugor të ndodhur në aksin rrugor “Milot–Lezhë”, në afërsi të zonës së njohur si “Ishulli Lezhë”, u transportua në Spitalin e Traumës, në Tiranë, për ndihmë mjekësore më të specializuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, vijon policia.

Top Channel