Konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme, liderët europianë do paraqesin në Gjenevë një propozim me 4 pika për të ulur tensionet në rajon

20/06/2025 16:19

Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, njoftoi qëllimin e Francës dhe partnerëve të saj evropianë për të paraqitur sot në Gjenevë një propozim të strukturuar diplomatik për Iranin për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.

Duke folur me gazetarët në Le Bourget, Macron theksoi se iniciativa evropiane synon të krijojë një dialog me Teheranin, me qëllim parandalimin e një zjarri të përgjithësuar dhe stabilizimin e rajonit.

Propozimi, sipas presidentit francez, bazohet në katër akse:

  1. Rifillimi i bashkëpunimit të Iranit me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), me qëllim arritjen graduale të “pasurimit zero” të uraniumit.
  2. Mbikëqyrja ndërkombëtare e programit të raketave balistike të Iranit, i cili është një burim shqetësimi i hershëm për sigurinë rajonale.
  3. Kufizimi i financimit iranian për organizatat e armatosura paraushtarake që veprojnë në Liban, Gaza, Siri dhe Jemen.
  4. Lirimi i shtetasve të huaj të mbajtur në burgjet iraniane, të cilët Franca dhe vende të tjera i përshkruajnë si pengje.

“Irani duhet të tregojë se është i gatshëm të ulet në tryezën e negociatave dhe t’i përgjigjet propozimit evropian”, tha Macron, duke nënvizuar se iniciativa është një përpjekje e koordinuar evropiane.

Bisedimet në Gjenevë po zhvillohen në një kohë tensionesh në rritje në rajon, me përfshirjen e Iranit që shkakton shqetësim në kryeqytetet evropiane dhe organizatat ndërkombëtare, për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore, testeve të raketave dhe mbështetjes për milicitë pro-iraniane.

Top Channel