
Një udhëheqës i lartë ushtarak dhe politik iranian, i cili u shpall i vdekur nga Izraeli javën e kaluar, tha se ishte gjallë në një mesazh të publikuar të premten nga media shtetërore iraniane.
“Jam gjallë dhe gati të sakrifikoj veten”, tha Ali Shamkhani në një mesazh drejtuar Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
“Fitorja është afër. Emri i Iranit do të shkëlqejë në majat e historisë si gjithmonë”, thuhej në mesazhin e tij, i cili u botua nga një numër i madh mediash shtetërore iraniane.
Shamkhani, një këshilltar i lartë i Khameneit, ishte raportuar i vdekur nga Izraeli dhe media iraniane pas sulmeve izraelite të 13 qershorit ndaj Iranit.
Të premten, disa media iraniane, përfshirë IRNA, Tasnim dhe Fars, raportuan se Shamkani nuk ishte i vdekur, por “i plagosur rëndë dhe i shtruar në spital” dhe se gjendja e tij ishte “e qëndrueshme”. Në mesazhin nuk u publikuan foto të reja të tij.
Shamkani kishte shërbyer më parë si zyrtari më i lartë i sigurisë kombëtare të Iranit dhe kishte mbajtur pozicione të larta në Trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
I njohur mirë në qarqet e politikës së jashtme në Uashington dhe Evropë, ai kohët e fundit kishte vepruar si këshilltari kryesor i Iranit në bisedimet e fundit bërthamore me Shtetet e Bashkuara, të cilat u bllokuan pas sulmeve izraelite.
Top Channel