Irani “godet” Bashkinë e Tiranës! Iranianët lënë mesazh kërcënues, bllokohet platforma online për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe dhe kopshte

20/06/2025 16:06

Një video e shpërndarë nga “Homeland Justice” në Telegram, tregon për hakerimin e serverave të bashkisë së Tiranës.

Në videon e shoqëruar me pamje të bashkisë së kryeqytetit, thuhet se shërbimet e bashkisë së Tiranës kanë rënë.
Hakerat ne video shkruajnë: “ Ju kishim paralajmëruar që të dëbonit terroristët e MEK nga Shqipëria, por ju i njohët ata si refugjatë të ligjshëm..

Po ashtu ne chat-in online janë shpërndarë foto të faqes zyrtare të bashkisë Tiranë para dhe pas hakerimit. Në një tjetër mesazh, hakerat shkruajnë se: “Të gjitha këto aktivitete janë kryer nga Bashkia e Tiranës, sot ata po ndëshkohen për veprimet e tyre. Ne kemi rrëzuar faqen e tyre, kemi marrë të dhënat dhe kemi fshirë serverët.”

Momentalisht faqja zyrtare e bashkisë së Tiranës nuk mund të aksesohet. Zyrtarisht nuk ka asnjë përgjigje nga bashkia e Tiranës në lidhje me situatën por Drejtoria e Përgjithshme e çerdheve dhe kopshteve të kryeqytetit ka lajmëruar se për shkak të një problematike në serverat e bashkisë Tiranës, linku i platformës online për regjistrimin e fëmijëve nuk është funksional dhe për këtë arsye procesi është pezulluar.

Hakerat iranianë të shërbimeve sekrete iraniane kanë goditur disa herë Shqipërinë. Goditja më e rëndë ishte ajo e bërë ndaj e albania që çoi më pas edhe në prishjen e menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike dhe dëbimin e diplomatëve iranianë nga Shqipëria.

Top Channel