“Hej unë dua të luaj futboll”, futbollisti i Juventusit tregon momentin kur Trump i pyeti për luftën në Iran: Na thanë që duhej të shkonim, nuk kisha zgjedhje

20/06/2025 17:16

Mjaftonin fytyrat e tensionuara të Timothy Weah dhe Weston McKennie, të transmetuara dje në të gjitha rrjetet amerikane, për të kuptuar sikletin që përfshiu skuadrën e Juventusit gjatë vizitës në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, ku ishin të gjithë të rreshtuar pas Donald Trumpit.

“Për mua ishte një surprizë e vërtetë, sinqerisht”, tha Weah pas debutimit të tij në Botërorin e Klubeve në Washington.

“Na thanë se duhej të shkonim dhe nuk kisha zgjidhje. Por më kapi në befasi, me të vërtetë. Ishte pak e çuditshme. Kur ai filloi të fliste për politikë, për Iranin dhe gjithë të tjerat, mendova: ‘Hej, unë dua vetëm të luaj futboll, shok’”, u shpreh Weah.

Fjalë të thëna me qetësi, por me vendosmëri, para kamerave të televizioneve amerikane. Ndërkohë, në konferencën për shtyp të mbajtur gjatë natës, pyetja për këtë çështje, drejtuar trajnerit Igor Tudor u refuzua me mirësjellje nga një përfaqësues i FIFA-s.

Natyrisht, një takim në Zyrën Ovale nuk është diçka që i ndodh kujtdo, dhe në sportin amerikan është rezervuar zakonisht për kampionët e futbollit amerikan, basketbollit apo bejsbollit.

Për Juventusin kjo ishte një mundësi unike për të marrë vëmendje mediatike dhe për të promovuar sponsorët, sidomos tani që në fanellat e saj është rikthyer kompania amerikane Jeep, si edhe logoja “Visit Detroit”.

Por me Trump, asgjë nuk është e sigurt dhe gafa është gjithmonë pas derës. Dhe këtë radhë, ajo u reflektua qartë në fytyrat e futbollistëve bardhezinj.

Top Channel