Futbollisti i skuadrës amatore nga Zelanda e Re refuzon zëvendësimin dhe shpërthen në lot, pamjet bëjnë xhiron e botës

20/06/2025 22:39

Një pjesë e parë stoike nga Auckland City, që e mbajti rezultatin 0-0 kundër Benfikës për më shumë se 50 minuta, përpara se Angel Di Maria të shënonte golin e avantazhit nga penalltia në minutën e tetë shtesë.

Po aq stoike ishte edhe qëndresa e mesfushorit Zhou Tong, protagonist absolut i pjesës së parë për një episod dramatik në minutat e fundit të saj. 35-vjeçari kinez u godit me top në fytyrë dhe stafi mjekësor, pasi e trajtoi në fushë, i bëri pankinës sinjalin klasik për zëvendësim.

Sapo pa sinjalin e stafit mjekësor, Zhou Tong reagoi me zemërim, duke u acaruar me fizioterapistin e Auckland City. Zemërimi i mesfushorit kinez e çoi thuajse në lot, ndërsa Zhou u rikthye në fushë kundër këshillës së stafit mjekësor dhe e përfundoi pjesën e parë. Ëndrra për të luajtur në Kupën e Botës për Klube vlen më shumë sesa një goditje në kokë për Zhou Tong, i cili i bërtiti “jo zëvendësim” trajnerit të tij Paul Posa – fjalë që u kapën qartë nga kamerat.

Pamjet bënë menjëherë xhiron e rrjetit, me emocionin e Zhou dhe vendosmërinë për të mos e lënë skuadrën me një lojtar më pak, që përmbledhin në mënyrë perfekte çfarë do të thotë kjo Kupë e Botës për Klube për ekipet pjesëmarrëse.

Skuadra amatore nga Zelanda e Re ka pësuar numrin më të madh të golave në Kupën e Botës, 10 nga Bajern i Mynihut dhe 6 nga portugezët e Benfikës.

Top Channel