
Irani “gjithmonë ka kërkuar paqe dhe qetësi”, tha presidenti iranian, Masoud Pezeshkian.
“Ne gjithmonë kemi kërkuar paqe dhe qetësi, por në rrethanat aktuale, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund luftës është të ‘ndalojmë pa kushte’ agresionin e armikut dhe të ofrojmë një garanci përfundimtare për t’i dhënë fund veprimeve të terroristëve zionistë përgjithmonë. Përndryshe, përgjigjet tona ndaj armikut do të jenë më të ashpra dhe më të trishtueshme”, theksoi Pezesheskian në X.
Kujtojmë se presidenti amerikan, Donald Trump bëri thirrje për dorëzimin “pa kushte” të Iranit më herët këtë javë, ndërsa Izraeli tha se qëllimi i tij është të parandalojë Iranin të ndërtojë një arme bërthamore.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi theksoi, sipas Reuters, se vendi i tij nuk mund të ulet në tryezën e negociatave me SHBA-në “për sa kohë që sulmet izraelite vazhdojnë”, por ai është gati të takohet me diplomatë europianë në Gjenevë, në një përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin me Izraelin.
Araghchi pohoi gjithashtu se SHBA-të duan të kthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar programin bërthamor të Iranit, por se Teherani e ka refuzuar kërkesën.
“Nuk ka vend për negociata me SHBA-të derisa të ndalet agresioni izraelit”, tha ai, duke akuzuar SHBA-të se janë bashkëpunëtorë në krimin izraelit kundër Iranit.
Në këtë kontekst, një diplomat evropian foli për rëndësinë e këtyre bisedimeve, duke i thënë Reuters: “Iranianët nuk mund të ulen në tryezën e negociatave me amerikanët, ndërsa ne mundemi. Do t’u themi atyre të kthehen në tryezën e negociatave për të diskutuar çështjen bërthamore para se të arrijmë në skenarin më të keq, duke shprehur shqetësimet tona në lidhje me raketat e tyre balistike, mbështetjen e tyre për Rusinë dhe ndalimin e qytetarëve tanë”.
Dy diplomatë i thanë gjithashtu Reuters se nuk ka pritje të larta për përparim të rëndësishëm në Gjenevë, por se është jetike të ketë një dialog me Iranin, sepse sapo të ndalet lufta, problemi i programit bërthamor iranian do të mbetet i pazgjidhur.
Një zyrtar iranian i tha gjithashtu Reuters se Teherani gjithmonë e ka mirëpritur diplomacinë: “Irani mbetet i përkushtuar ndaj diplomacisë si e vetmja mënyrë për të zgjidhur mosmarrëveshjet, por diplomacia është nën sulm”.
Top Channel