
Të paktën 12 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite ndërsa prisnin ndihma humanitare në pjesën qendrore të Gazës, sipas ekipeve të shpëtimit dhe personelit mjekësor në terren.
Ngjarja ndodhi pranë një pike shpërndarjeje të ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli. Raportet fillestare tregojnë se grupi i civilëve u qëllua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Megjithatë, GHF mohoi se ka pasur ndonjë incident pranë qendrës së saj të shpërndarjes. Ndërkohë, ushtria izraelite tha për agjencinë Reuters se disa “persona të dyshuar” ishin afruar pranë forcave izraelite në zonën e Netzarim dhe ushtarët kishin qëlluar në ajër si paralajmërim. Ushtria shtoi se nuk ishte në dijeni për të plagosur apo të vrarë.
Ky incident është vetëm i fundit në një seri përplasjeje të përgjakshme që po ndodhin pothuajse përditë pranë zonave të shpërndarjes së ndihmave në Gaza.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të enjten se 12 persona janë vrarë gjatë natës ndërsa kërkonin ndihmë, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Top Channel