
Sëmundja e murtajës së ruminantëve të vegjël është rikthyer në qarkun e Shkodrës, duke shënuar një rast të dytë të konfirmuar zyrtarisht. Këtë herë, sëmundja është identifikuar në një fermë në fshatin Trush, ku janë prekur 200 dele.
Pritet që nesër të kryhet asgjësimi i të gjithë krerëve në këtë fermë, në përputhje me masat e sigurisë veterinare.
Ndryshe nga vatrat e tjera në vend, ku më së shumti janë prekur dhitë, ky është rasti i parë në të cilin murtaja prek delet, çka e bën situatën më shqetësuese. Zona e fshatit Trush është vendosur në karantinë që prej ditës së sotme dhe është ndaluar lëvizja e bagëtive, si brenda ashtu edhe jashtë zonës.
Shërbimet veterinare janë në terren dhe po vijojnë kontrollin në fermat përreth për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes. Autoritetet bëjnë apel për bashkëpunim nga fermerët dhe njoftimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar.
Top Channel