“Kujtesa e Mesdheut”, ekspozita me 700 vepra nga shekulli XIV-XIX në Bibliotekën Kombëtare

19/06/2025 12:24

Një ekspozitë me rreth 700 vepra nga shekulli XIV – XIX, që pasqyrojnë trashëgiminë e pasur mesdhetare u çel mbrëmjen e kaluar në ambientet e Bibliotekës Kombëtare,

“Kujtesa e Mesdheut – Nga antikiteti në kohët moderne”, prezanton për publikun e gjerë libra, dorëshkrime, harta e gravura mes viteve 1300-1900, duke dëshmuar bukurinë e marrëdhënieve e kulturave të ndryshme, por që i bashkon diçka e madhe: MESDHEU.

Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare tha: “Të tregojmë se si rrugëtimi ynë në histori, ashtu siç do popull tjetër është produkt i një procesi kompleks marrie-dhënie, shkëmbimesh, migrimesh, luftërash, bashkëjetesë nga popujt e kulturat e tjera. Një koncept aq kompleks sa dinamik, kulturor e politik që shpjegon shumë prej tipareve, vlerave, traditave dhe mënyrave të tjerave që kemi të përbashkët me popujt e tjerë, sidomos të Mesdheut”.

I pranishëm në aktivitet, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, tregoi projektin për ndërtimin e Bibliotekës se re Kombëtare, pranë Gardës.

“Do të jetë një godinë e re në dispozicion të Bibliotekës Kombëtare, duke ofruar ambiente të reja dhe funksionale, që të afrojnë jo vetëm ambiente për lexim, por dhe kushte shumë optimale për arkivimin e fondit të Bibliotekës Kombëtare, duke integruar dhe teknologjitë më të avancuara të informacionit”, u shpreh ministri.

Ekspozita, që vjen pas shpalljes së Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar për Kulturën dhe Dialogun 2025, do të qëndrojë e hapur për një muaj, deri më 18 korrik.

Top Channel