Një shpërthim i fuqishëm ndodhi së fundmi në objektin Starbase të SpaceX në Teksas, gjatë një prove të planifikuar të motorit statik në raketën Starship Ship 36.

Prototipi u shkatërrua plotësisht pak para nisjes së testit standard të “zjarrit statik”. Incidenti është filmuar dhe pamjet po qarkullojnë me shpejtësi në internet.

Fatmirësisht, gjatë momentit të shpërthimit nuk kishte personel pranë zonës së rrezikut dhe nuk raportohet për të lënduar. Megjithatë, dëmet e shkaktuara mbi prototipin e raketës dhe infrastrukturën mbështetëse janë të konsiderueshme.

Por sa kushton një dështim i tillë?

Dëmi financiar për SpaceX dhe për vizionin e Elon Musk është shumëplanësh. Sipas vlerësimeve të analistëve të pavarur, kostoja për ndërtimin dhe përgatitjen e një rakete Starship mund të arrijë deri në 100 milionë dollarë për njësi.

Nga ana tjetër, vetë qendra Starbase, një nga instalimet më të avancuara hapësinore në botë, ka kërkuar një investim mbi 3 miliardë dollarë për infrastrukturë. Kostoja e përgjithshme e programit Starship, duke përfshirë raketat, infrastrukturën mbështetëse, personelin dhe logjistikën, tashmë vlerësohet të ketë tejkaluar 5-7 miliardë dollarë, dhe me përmirësimet e fundit mund të arrijë në 10 miliardë dollarë.

Ndërsa nuk ka ende një deklaratë zyrtare të detajuar nga SpaceX lidhur me koston e këtij incidenti të fundit, vetë kompania shpesh ka theksuar se dështime të tilla janë pjesë e natyrshme e procesit të zhvillimit. Elon Musk ka deklaruar më parë: “Dështimet janë të nevojshme për progres”, një filozofi që ka udhëhequr qasjen e SpaceX ndaj inovacionit dhe testimit të kufijve teknologjikë.

Pasojat për të ardhmen

Megjithëse filozofia “dështo shpejt, mëso shpejt” është e njohur në industrinë e teknologjisë, ndërsa afrohet koha për misionet reale drejt Hënës dhe Marsit, incidente të tilla nuk mund të neglizhohen. Çdo shpërthim, përveç kostos materiale, përbën një kujtesë të fuqishme për rreziqet që mbart udhëtimi hapësinor.

Dështimi i Starship Ship 36 nuk është thjesht një video spektakolare që bën xhiron e rrjeteve sociale. Ai përfaqëson një sfidë serioze në rrugëtimin ambicioz të Elon Musk për të dominuar hapësirën dhe për të ndërtuar të ardhmen ndërplanetare të njerëzimit.

Top Channel