“Rusia s’ka shanse me NATO-n”/ Kaja Kallas: Duhet të qëndrojmë të bashkuar

18/06/2025 17:45

“Rusia nuk ka shanse me NATO-n”! Kështu u shpreh shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila tha se aleanca duhet “të qëndrojë e bashkuar” përballë një Moske armiqësore.

Duke folur para mbajtjes së samitit të NATO në Holandë, ku anëtarët e aleancës janë në presion nga Shtetet e Bashkuara për të rritur shpenzimet për mbrojtje, Kallas paralajmëroi se vetëm rritja e shpenzimeve për mbrojtje nuk mjafton për të frenuar Kremlinin.

Sot, kundër NATO-s dhe BE-së, Rusia s’ka shanse. Por, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar. Kur udhëheqësit e NATO-s të takohen javën e ardhshme, mbajtja e unitetit në aleancë është prioritet më i madh sesa rritja e shpenzimeve për mbrojtje”, tha kryediplomatja evropiane.

Për shefen e diplomacisë së BE-së, forcimi ushtarak i Rusisë paraqet kërcënim për sigurinë e Evropës dhe të komunitetit transatlantik.

Vitin e kaluar, Rusia shpenzoi më shumë në mbrojtje sesa të gjitha shtetet e BE-së së bashku. Këtë vit, Rusia po shpenzon më shumë në mbrojtje sesa në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe politikave sociale së bashku. Ky është një plan afatgjatë për një agresion afatgjatë. Ju nuk shpenzoni kaq shumë në ushtri, nëse nuk planifikoni që ta përdorni ushtrinë”, shtoi Kallas.

Bashkimi Evropian ka lansuar një nismë që synon mbledhjen e 800 miliardë eurove për të ndihmuar shtetet anëtare që të forcojnë mbrojtjen.

Top Channel