Mblesëri online! Teknologjia ndikon edhe tek lidhjet në distancë, krijohen zyra ku paguhet për të njohur dikë

18/06/2025 19:59

Teknologjia është kthyer në realitetin e ri të përditshëm e të domosdoshëm, aq sa edhe njohjet mes shqiptarëve po bëhen në distancë.

Emigrantë që kërkojnë njohje të sinqerta, në mënyrë konfidenciale, në internet… Biznesi më i ri që po lulëzon janë agjencitë online të mblesërive.

Jo vetëm faqe në rrjete sociale si Facebook apo Instagram, por edhe website ku duhet të regjistrohesh për të përfituar lidhjen me dikë në bazë të përshkrimeve, edhe pa e njohur… por kundrejt pagesës.

Zyhdi Dervishi, sociolog: “Agjenci mblesërie, profile burokratike me një shkallë të madhe irrealiteti. Njerëzit ndryshe paraqiten në foto, ndryshe janë në të vërtetë. Pra, këtu ndërmjetësohet për të afruar foto të njerëzve”.

Nga 100 euro, 300 euro, deri në pa limit, në varësi të vijimësisë së marrëdhënies që nis online. Në vëzhgimin e kryer nga Top Channel, këto janë shifrat që publikojnë zyrat e shkuesve virtualë.

Zyhdi Dervishi, sociolog: “Ky është më shumë një lloj biznesi që ofron bashkëjetesa të përkohshme dhe jo martesa të qëndrueshme. Përgjithësisht, shumica e lidhjeve të tilla përfundojnë në divorc. Për shkak të lidhjeve virtuale, por jo vetëm, edhe sepse nuk njihen në ambiente pune, shkolle, por më shumë njihen në platforma elektronike.”

Sociologu Zyhdi Dervishi krahason ndërmjetësimet e mëparshme, ku pesha e njohjes binte mbi shkuesin, i cili kishte përgjegjësi familjare, ndryshe nga sot ku interesi për të lidhur njerëzit është kthyer në sipërmarrje.

“Agjencia e shkesive, që dikur në shoqëritë e mëdha shqiptare e kanë kryer gratë e mençura të fisit, vullnetarisht, e merrte thjesht një palë këpucë dhuratë. Por në atë kohë një martesë e një vajze me një djalë konsiderohej aleancë fisesh. Dhe bëhej nga njerëz të afërm që kishin përgjegjësi para fisit, që dëshironin që martesa të ishte sa më solide”, shprehet Dervishi.

Top Channel