Klasat e qëndisjes, artizanët në Gjirokastër promovojnë kulturën dhe traditën tek turistët

18/06/2025 12:34

Gjirokastra është një nga qytetet më të njohura dhe të ruajtura historikisht në Shqipëri, e cila që nga mesjeta njihet si një nga qendrat kryesore të qëndistarisë tradicionale.

Trashëgimia e pasur kulturore dhe zanatet e lashta, sidomos qëndisja e veshjeve tradicionale, e bëjnë këtë qytet një vend unik dhe të veçantë në rajonin e jugut të vendit. Veshjet dhe teknikat e qëndisjes që ruhen dhe transmetohen brez pas brezi, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të identitetit kulturor lokal.

Unë realizoj veshje tradicionale, kryesisht të jugut. Puna jonë është restaurimi i veshjeve tradicionale dhe realizimi i veshjeve tradicionale, bazuar mbi studimet antropologjike. Duke qenë se jemi pjesë e një qyteti tradicional, i ndajmë dijenitë tona me turistët që të mësojnë të qëndisin. Kemi dy vite që bashkëpunojmë me grupe artizanësh nga Izraeli dhe turistë të tjerë. Ata preferojnë të njohin traditën shqiptare”, shprehet Buqe Muka, qëndistare dhe restauruese e veshjeve tradicionale.

Në dy vitet e fundit, Buqja ka bashkëpunuar me grupe artizanësh dhe turistësh nga Izraeli, duke organizuar klasa dhe ture të qëndisjes tradicionale që promovojnë kulturën dhe traditën shqiptare.

Unë jam nga Izraeli. Jam një qëndistare e traditës dhe organizoj atje klasa për vizitorë. Para tre vitesh takova një artizane në një panair turizmi në Izrael dhe që atëherë jemi mike dhe organizojmë ture tradicionale në Shqipëri. Kjo është hera e shtatë apo e tetë që jemi këtu dhe merremi me qëndisjen me fije ari të kostumeve. Shqipëria është një vend shumë mikpritës për Izraelin dhe gjejmë këtu paqe. Ndjesë që e them, por lidhet me kushtet në të cilat jetojmë tani në vendin tim. Na pëlqen edhe vera, djathi, ushqimi këtu. Faleminderit Shqipëri dhe jeni të mirëpritur në Izrael, në një kohë më të mirë”, shprehet një visitore nga Izraeli.

Unë jam Karen dhe vij nga Izraeli. Jam këtu me një grup mikesh. Ne vizitojmë vende të veçanta si ky. Një qëndistare e njohur nga Izraeli na e sugjeroi dhe e gjejmë shumë interesante. Njerëzit janë të dashur, teknika origjinale dhe jemi shumë të kënaqur. Ishte një eksperiencë origjinale, me një mësuese të shkëlqyer, dhe do të kthehemi përsëri”, shton më tej turistja.

Jemi këtu me një grup zonjash nga Izraeli. Ne jemi të dedikuar ndaj tregut izraelit dhe nordik. Kam bashkëpunuar prej vitesh me to. Znj. Mihaela është e apasionuar pas artit dhe qëndisjes dhe Buqja na tregon këtu sesi qëndiset në mënyrë tradicionale, me shumë dashuri dhe pasion. Paketa jonë është e ndryshme nga turizmi standard ,ajo e tejkalon turizmin e zakonshëm. Ky turizëm i dedikuar të jep edhe gëzim. Jam shumë e kënaqur me ofertën, akomodimin, ushqimin dhe atë që po bëjmë. Synojmë të sjellim edhe më shumë vizitorë”, thotë Rozana Gjergji, operator turistik.

Rajoni i Gjirokastrës ofron rreth 80 eksperienca të ndryshme tradicionale dhe kulturore, duke përfshirë edhe gdhendjen e drurit, ikonografinë, gatimin tradicional, kopshtarinë, fermat, artin, meditimin, yogën, mjeljen dhe shëtitjet me gomaricat, shijimin e verës dhe djathit, dhe jetën në stan. Këto eksperienca e bëjnë Gjirokastrën këtë verë një destinacion unik për turistët që kërkojnë jo vetëm bukuritë natyrore, por edhe përjetimin e thellë të kulturës dhe traditës autentike shqiptare

Top Channel