Këngëtari i njohur amerikan transportohet në gjendje të rëndë në spital, avokatët pretendojnë komplot brenda burgut

18/06/2025 16:13

Këngëtari i njohur i R&B, R. Kelly, i cili po vuan një dënim të gjatë për krime seksuale, është shtruar në spital pas një mbidoze të dyshuar me ilaçe.

Sipas avokatëve të tij, ai ishte pranë vdekjes pasi mori një dozë të rrezikshme të barnave kundër ankthit dhe pagjumësisë, që zakonisht i përdor, por që këtë herë – pretendojnë ata – iu administrua në mënyrë të qëllimshme nga stafi i burgut.

“Ai u zgjua herët më 13 qershor dhe u ndje keq. U përpoq të ngrihej, por u rrëzua dhe humbi ndjenjat,” deklaroi një nga avokatët e këngëtarit. Kelly u dërgua me urgjencë në spital, ku mjekët konfirmuan se kishte marrë një dozë potencialisht fatale. Ai qëndroi nën kujdes mjekësor për dy ditë para se të rikthehej në burg.

Avokatët e R. Kelly e përshkruajnë incidentin si pjesë të një komploti të brendshëm, duke akuzuar zyrtarë të burgut për manipulim të qëllimshëm të dozave të medikamenteve. Autoritetet nuk kanë komentuar ende mbi këto akuza.

R. Kelly, emri i të cilit mbetet i lidhur me disa nga rastet më të rënda të abuzimeve seksuale në industrinë e muzikës, u dënua fillimisht në Brooklyn para tre vitesh.

Ai u shpall fajtor për krime seksuale, ndërsa në vitin 2023 u dënua edhe në Çikago për marrëdhënie seksuale me një të mitur, bazuar në një video që dokumentonte abuzimin e tij me vajzën 14-vjeçare. Megjithatë, dënimi i dytë prej 20 vitesh u vendos të shërbehej paralelisht me dënimin e mëparshëm prej 30 vitesh – një lehtësim relativ për mbrojtjen.

Top Channel