I mbijetuari i vetëm i aksidentit ajror në Indi përcjell në banesën e fundit vëllanë e tij

18/06/2025 17:26

Britaniku Vishwashkumar Ramesh, i cili ishte i vetmi person që mbijetoi nga përplasja tragjike e një avioni të kompanisë Air India javën e kaluar, mori pjesë në ceremoninë mortore të vëllait të tij Ajay, i cili nuk arriti të mbijetojë nga aksidenti.

I përlotur dhe ende me plagë në fytyrë e krah, Ramesh mbajti arkivolin e vëllait, ndërsa familja dhe të afërmit e përcollën Ajay-in në banesën e fundit. Në funeral morën pjesë edhe shumë banorë të qytetit.

Avioni “Boeing 787-8 Dreamliner” ishte nisur drejt Londrës dhe u rrëzua vetëm disa sekonda pas ngritjes nga qyteti Ahmedabad, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 270 personave, shumica pasagjerë dhe disa të tjerë që ndodheshin në tokë, përfshirë banorë të një konvikti mjekësh ku avioni u përplas.

Mrekullisht, Ramesh, i cili ishte ulur në vendin 11A, arriti të dilte i gjallë nga rrënojat. Një video tregon momentin kur një punonjës i shërbimit të ambulancës, Satinder Singh Sandhu, e ndihmon Ramesh të largohet nga vendi i ngjarjes mes flakëve dhe tymit të dendur.

Sandhu tregoi se nuk e kishte kuptuar se po ndihmonte të mbijetuarin e vetëm, dhe se më vonë mësoi përmes lajmeve se kush ishte ai. Ai rrëfeu gjithashtu se Ramesh, edhe pse i lënduar rëndë, përpiqej vazhdimisht të kthehej në rrënoja për të kërkuar vëllain e tij.

Kur e ndalova dhe e futa në ambulancë, më tha se kishte vëllain brenda dhe po përpiqej ta shpëtonte,” kujton Sandhu.

Në një intervistë për televizionin indian DD News, Ramesh tha se ende nuk e beson që ka mbijetuar: “Për një moment mendova se do vdisja. Kur hapa sytë dhe pashë rreth vetes, kuptova se isha gjallë. Nuk më besohet ende se si dola prej andej.”

Shkaqet e aksidentit janë ende të panjohura. Hetuesit po analizojnë të dhënat nga “kutia e zezë” e avionit për të zbuluar se çfarë ndodhi saktësisht.

Top Channel